E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet Vila, në dyshim për derbin me Tiranën

Dinamo

Pjesëmarrja e Emiliano Vilës në derbin e javës së 32-të të Kategorisë Superiore, që Dinamo do të luajë me Tiranën është seriozisht në dyshim. Mesfushori i Kombëtares shqiptare u dëmtua në kavilje gjatë seancës së djeshme stërvitore me blutë dhe mund të mos rikuperohet në kohë për sfidën që do të luhet vetëm pas shtatë ditësh. Më tepër se për skuadrën, të besuarit e trajnerit Shkëlqim Muça e kanë mbyllur çështjen e titullit dhe presin vetëm mbylljen zyrtare të edicionit, ky cilësohet si një problem për 23-vjeçarin. Problemi është mjaft serioz, duke qenë se bëhet fjalë për një ripërsëritje të dëmtimit në kavilje, që Vila e pësoi gjatë “zborit” të muajit janar me Kombëtaren “B” në Antalia.

Gjithsesi, stafi mjekësor i Dinamos do të vazhdojë trajtimin për lojtarin dhe vetëm në ditët në vazhdim mund të flitet me siguri rreth gjendjes së tij. Në derbin e datës 14 maj, të gjithë presin që kampionët e rinj të Shqipërisë dhe Tirana (kampione e shkurorëzuar), të luftojnë, për shkak të rivalitetit ndërmjet dy klubeve. Por, në këtë fund sezoni të mbushur me dyshime, ka edhe nga ata që mendojnë se dinamovitët mund t’i tolerojnë blutë, të cilët kërkojnë me patjetër tri pikët për të siguruar një vend në kupat e Europës. Megjithatë, për Elis Bakajn kompromisi është i papranueshëm: lojtari kryesor i bluve ka kërcënuar se do të zgjedhë të mos zbresë në fushën e blertë, nëse do të ketë tolerim.

Në anën tjetër, edhe Tirana do të paraqitet në sfidën e së premtes së ardhshme me dy mungesa të rëndësishme. Bëhet fjalë për kapitenin Devis Mukaj, që vetëm pak kohë më parë ishte edhe në rolin e trajnerit dhe për mbrojtësin Abramah. Të dy lojtarët janë të pezulluar me kartonë dhe mungesa e tyre është një humbje mjaft e madhe për bardheblutë në sprintin final të sezonit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›