E Shtunë, 31 Tetor 2026

FIFA inspekton vendet kandidate për anëtarësim, harron Kosovën

Ngjarja Drejtuesit e FFK-së nuk shqetësohen: “Jemi rast i veçantë”

Një grup pune i FIFA-s po ndihmon disa shtete të vogla dhe territore, që nuk janë pjesë e federatës botërore të futbollit, në tentativat e tyre për t’u bërë anëtare. Por, sipas mediave britanike, ku plan rrezikon të shkaktojë zemërimin e vendeve që cilësohen si kandidate potenciale për afrimin në këtë institucion, ku mes tyre ndodhet edhe Kosova. Xheof Tompson, ish-president i Federatës Angleze (FA) dhe Urs Kluser, drejtor i asociacioneve anëtare dhe zhvillimit në FIFA, po udhëheqin një grup pune që merret me çështje të cilat shqetësojnë vendet e papranuara ndërkombëtarisht. Ata vizituan shtetin e vogël Tuvalu në Ishullin Pacifik dhe Seint Marten – territor i administruar nga holandezët që mbulon gjysmën e Ishujve të Karaibeve në Seint Marten. Programi i tyre përfundoi me vizitën në ishullin Xhersi, territor i Mbretërisë së Bashkuar. “Qëllimi kryesor i vizitës tonë (në Xhersi) ishte të kuptonim organizimin e futbollit brenda këtij ishulli, të ndjekim gjendjen dhe zhvillimin e futbollit”, shpjegoi FIFA, që konfirmoi se vetëm këto tri vende kanë qenë në agjendën e Thompsonit që nuk planifikon vizita të tjera. Tuvalu, që ka popullsi prej mbi 12 mijë banorëve, mori pjesë në eliminatoret për Botërorin 2010 edhe pse nuk është anëtar me të drejta të plota i Konfederatës së Futbollit të Oqeanisë (OFC) dhe aq më tepër e FIFA-s. Diçka e tillë nuk ndodh me Kosovën: UEFA insiston se të gjithë anëtarët e rinj të Federatës Europiane, e rrjedhimisht të FIFA-s, duhet të njihen më parë nga Kombet e Bashkuara. Por, drejtuesit e Federatës Kosovare të Futbollit nuk janë shqetësuar me faktin se shteti më i ri në “Kontinentin e Vjetër” nuk është përfshirë në axhendën e këtij grupi pune. Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thekson për kosovaren “Express” se kontaktet e vazhdueshme me FIFA-n nuk mungojnë: “Ne jemi në axhendën e FIFA-s, sepse kemi aplikuar zyrtarisht për pranim dhe e kemi marrë një përgjigje: sipas saj, nuk na kanë njohur një numër i mjaftueshëm i shteteve. Duke ditur pengesat juridike në statusin e UEFA-s, FIFA po tenton të gjejë një zgjedhje hap pas hapi për Kosovën, pasi rasti ynë është unik”, tha ai.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›