E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëmtohet amfiteatri i Apolonisë

Fier Shkatërrohet muri, shkallët dhe një pjesë e odeonit

Amfiteatri në odeonin kryesor të qytetit antik të Apolonisë në Fier është dëmtuar rëndë. Aktiviteti i fundit, i organizuar në parkun arkeologjik “Shqipëria është kulturë”, në të cilin kanë qenë pjesëmarrës shumë të rinj, ka përkeqësuar gjendjen e amfiteatrit. Disa muaj më parë, ishte folur për një ndërhyrje të domosdoshme në këtë amfiteatër si pasojë e rrëshqitjes së dherave. Mbingarkesa me pjesëmarrës ka sjellë shkatërrimin dhe dëmtimin e rëndë të shkallëve dhe gurëve të ndryshëm në këtë pjesë të qytetit të lashtë. Gjithashtu, rezulton e shkatërruar një pjesë e mirë e amfiteatrit, por edhe e murit të tullave të kolonave përreth agonotekëve. Specialisti i parkut kombëtar arkeologjik “Apolonia”, Admir Xhela, ngre shqetësimin e sipërcituar. “Dëmtimet janë në shkallare e po ashtu edhe në murin rrethues të odeonit. Një pjesë e tullave janë zhvendosur dhe janë shkulur nga vendi i mëparshëm”, shprehet Xhela. Sipas tij, që më parë mes organizatorëve të aktivitetit dhe parkut, është bërë një kontratë për dëmtimet e mundshme dhe dëmshpërblimet për punën restauruese që duhet të bëhet më pas. “Sipas marrëveshjes me organizatorët e spektaklit dhe aktivitetit, në bazë të kontratës ata duhet të zhdëmtojnë të gjitha ndërhyrjet dhe dëmet”, ka thënë më tej specialisti i parkut, Admir Xhelaj. Sipas tij, organizatorët e aktivitetit “Shqipëria është kulturë” e kanë marrë përsipër procesin e njohjes së dëmit. “Specialistët kanë kërkuar restaurim të pjesëve të dëmtuara dhe pritet që shumë shpejt të realizohet një gjë e tillë”, përfundon Admirim Xhelaj. Në kontratën midis parkut arkeologjik dhe organizatorëve të aktivitetit kulturor të sipërcituar është parashikuar edhe restaurimi i vlerave të dëmtuara, por në këtë sezon turistik të filluar ende nuk dihet data dhe dita e fillimit të restaurimeve të të gjitha dëmtimeve që janë të dukshme sot afro 10 ditë pas mbylljes së aktivitetit “Shqipëria është Kulturë”.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›