E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurime private, për shërbim shëndetësor elitar

Përfitimet kanë ardhur në rritje, ndërsa pagesa e kontributeve mbetet më e ulëta në rajon 3.4%

Masa e pagesës së sigurimeve shëndetësore në Shqipëri vazhdon të mbetet më e ulëta në rajon. Ka rritje të përfitimeve nga skema, por sipas autoriteteve shëndetësore, 3.4 për qind e pagës është një nivel tepër i ulët për të krijuar një skemë më fitimprurëse.

Ndërkohë që pritet të modelohet një paketë shërbimesh shëndetësore bazë në spitalet e vendit, njësoj si në qendrat shëndetësore apo poliklinika, po mendohet edhe për mundësinë e dhënies së një shërbimi shëndetësor më elitar, për të cilin pacientit i duhet të paguajë një shtesë.

Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, referoi dje një material të zgjeruar mbi situatën aktuale të sigurimeve shëndetësore në konferencën me temë “Punëdhënësit dhe punëmarrësit përballë sistemit të sigurimeve shëndetësore dhe shoqërore”, të organizuar nga Dhoma Amerikane e Tregtisë. Në këtë konferencë ku merrnin pjesë përfaqësues të bizneseve kryesore në vend, drejtoresha e ISKSH-së bëri një pasqyrim të skemës së sigurimeve shëndetësore, pagesave dhe përfitimeve prej saj.

Sipas raportit të ISKSH-së, përfitimet nga skema e sigurimeve kanë ardhur në rritje ndërsa pagesa e kontributeve shëndetësore vazhdon të mbetet 3.4%, më e ulëta në rajon. Përfaqësues të biznesit u interesuan lidhur me sigurimet private, argument për të cilin Hana u shpreh: “Ajo që ne synojmë është hartimi dhe ofrimi i një pakete bazë shërbimesh në sektorin publik, sikurse është me parësorin, shumë shpejt do të jetë dhe me shërbimin spitalor. Paketa do të jetë transparente dhe e njëjtë për të gjithë popullatën në çdo cep të vendit. “Ne synojmë të forcojmë sektorin publik duke rritur si aksesin e shërbimit ashtu edhe cilësinë e tij nëpërmjet lidhjes së punës së mjekut me pagesën”, tha drejtoresha e ISKSH-së. Sa i takon sektorit privat, mbi këtë paketë bazë shërbimesh, mendohet se ka hapësira për futjen e sigurimeve private lidhur me shërbime ekstra, hoteleri më të mirë apo përzgjedhjen e një mjeku të caktuar”. Pjesa relativisht e ulët e të ardhurave që vjen nga kontributet lidhet më faktin se përqindja e kontributit shëndetësor, ndaj totalit të të ardhurave të punonjësve, është mjaft e ulët.

Kontributet e sigurimeve shëndetësore për personat e punësuar është 3.4% e pagës mujore deri në kufirin maksimal, të vendosur me VKM, nga të cilat 1.7% i paguan punëdhënësi dhe 1.7% i paguan punëmarrësi.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›