Dëmtohet natën ujësjellësi, 10 fshatra mbeten pa furnizim
Malësi e Madhe
Policia dyshon për një shpërthim të fuqishëm, por dihen motivet
Komuna Grumemirë në Malësinë e Madhe, me 10 fshatra, ka mbetur pa ujë të pijshëm, pasi tubacioni kryesor që furnizon komunën është dëmtuar gjatë natës për motive ende të paqarta. Ngjarja në fjalë mendohet të ketë ndodhur pas mesnate, kur një sasi eksplozivi mendohet të ketë shpërthyer në afërsi të burimit të Rrjollit, pranë fshatit Grilë të Komunës Gruemirë. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor, që nuk ka arritur të përcaktojë menjëherë nëse kishte ndodhur në shpërthim, apo tubacioni kryesor i ujësjellësit është dëmtuar me mjete të tjera. Në lidhje me ngjarjen, policia ka shoqëruar disa banorë të zonës, por deri në mbrëmje nuk është bërë i mundur identifikimi i autorëve edhe zbardhja e motiveve të ngjarjes. Nga ajo çfarë shihet në vendin e ngjarjes dhe dëmtimi serioz që ka pësuar tubacioni kryesor që furnizon komunën me ujë, krijohet përshtypja se dëmtimi ka ardhur nga një shpërthim i fuqishëm. Ndërkohë, drejtuesit e Komunës Gruemirë nuk kanë dashur të prononcohen në lidhje me shkaqet e ngjarjes, por kanë premtuar se brenda 24 orëve do të riparonin dëmin e shkaktuar, duke siguruar furnizimin normal me ujë të pijshëm të dhjetë fshatrave.
a.h.
Dëmtohet natën ujësjellësi, 10 fshatra mbeten pa furnizim burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Meritat e vërteta të stilolapsit dhe letrës në biznes!