Fier, abuzime me patentat, shtatë në pranga
Pezullohet nga detyra kreu i Drejtorisë dhe Shërbimit të Automjeteve në Fier, Luan Baci
Merrnin ryshfet për lëshimin e patentave, arrestohet tre zyrtarë të Drejtorisë dhe Shërbimit të Automjeteve në Fier dhe disa pronarë auto-shkollash private.
Burimet policore lokale bën të ditur se pas një hetimi 7 mujor të nisur nga Prokuroria e Fierit kanë rënë në pranga: Emiljano Mone, Bujar Tahiri, Dilaver Shyti, Emiljano Bushi, Xhevair Çaushi, Paskal Bello dhe Vladimir Nebiaj për akuzat e Korrupsionit aktiv dhe pasiv pasi dyshohet se kanë pajisur me leje drejtimi të automjeteve në mënyrë abuzive, disa shtetas të tjerë kundrejt përfitimeve të paligjshme.
Ndërkohë ndaj titullarit të institucionit, Luan Baci, është caktuar masa ndaluese e pezullimit të ushtrimit të detyrës, pasi dyshohet se ka konsumuar veprat penale të ryshfetit apo korrupsionit pasiv.
Masat e sigurimit nga gjykata janë lëshuar pasi dyshohet se drejtues dhe anëtarë të komisionit për pajisjen me lejedrejtimi për drejtimin e motomjeteve dhe automjeteve, pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Fier, konkretisht shtetasit: Luan Baci, Emiliano Mone, Paskal Bello, Emiliano Bushi, në kundërshtim me detyrën kryejnë veprime abuzive, që konsistojnë në dhënien e lejeve për drejtim automjeti shtetasve të ndryshëm kundrejt përfitimeve të paligjshme, bëjnë të ditur burime nga grupi hetimorë.
Ndërkaq sipas organit të akuzës në shumë raste personat kandidatë për tu pajisur me leje drejtimi automjeti, paraqiteshin vetëm ditën kur jepet testimi teorik apo ai praktik dhe plotësimi i dokumentacionit për regjistrimin dhe pajisjen me leje drejtimi, siç janë vërtetimi i banimit lëshuar nga organet e pushtetit vendor, certifikata mjekësore që lëshohet nga poliklinika shëndetësore, dokumenti për përcaktimin e grupit të gjakut dhe Rehzusin, apo dhe fotokopje e dëshmisë për kryerjen e kursit të ndihmës se shpejtë mjekësore pranë Kryqit të Kuq Shqiptar, bëhej nga punonjës të auto-shkollave apo nga persona që luanin rolin e sekserit kundrejt premtimeve apo përfitimeve të paligjshme, pa prezencën e kandidatit.
18 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Fier, abuzime me patentat, shtatë në pranga burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip Meritat e vërteta të stilolapsit dhe letrës në biznes!