E Enjte, 5 Nëntor 2026

Denaj: Bimët mjekësore, eksporte të sigurta drejt tregjeve elitare të BE-së

TIRANË, 19 qershor/ATSH/ Bimët medicinale dhe aromatike janë një pjesë e rëndësishme e ekonomisë në Malësinë e Madhe, duke punësuar qindra burra dhe gra në mbjelljen, grumbullimin dhe përpunimin e tyre.

Me anë të Skemës Kombëtare të Bujqësisë 2024, Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka rikthyer mbështetjen për prodhuesit e bimëve medicinale dhe aromatike, sektor i cili është në hapat e tij të parë, por të sigurt drejt tregjeve elitare si ato të Bashkimit Evropian. Bimët Medicinale janë një sektor i rëndësishëm në eksportet bujqësore. Përveç impaktit socio-ekonomik, parcelat me bimë medicinale dhe aromatike, janë kthyer edhe në një atraksion turistik. Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj ndau në rrjete sociale shembullin e Landit, sipërmarrësit që prodhon dhe përpunon për eksport, ekstraktin e bimëve mjekësore në Malësinë e Madhe. Landi kultivon në rreth 100 ha sipërfaqe toke, bimë mjekësore dhe aromatike, kryesisht livando e sherbelë. Ai ka të punësuar 60 fermerë të zonës, që kryesisht janë të rinj të moshës 20-30 vjeç. “Duke parë përfitimet ekonomike nga sektori i bimëve mjekësore dhe aromatike, të rinjtë po rrisin interesin për të mbjellë tokat e tyre me këto bimë, që më pas i marrim ne dhe i përpunojmë në fabrikën tonë duke prodhuar ekstrakt vajor që e eksportojmë”, u shpreh Landi. Ai thotë se, synimi është që kompania të lidhi kontrata afatgjatë me firmat e huaja për eksportin e përpunuar të bimëve mjekësore, që është vlerë e shtuar për të gjithë zinxhirin e biznesit. Më shumë se, 400 specie janë identifikuar si bimë Mjekësore dhe Aromatike të florës shqiptare, nga të cilat më shumë se 200 specie mblidhen dhe tregtohen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›