Denaj: Projektojmë 1 mijë agroturizma në 2030, katalizator të zhvillimit rural

TIRANË, 18 mars /ATSH/ Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, deklaroi sot se, “me një linjë financimi 250 milionë euro, e kombinuar me Garancinë Sovrane, që mbulon 70 % të kolateralit, mbështesim investimet në agroturizëm, si katalizator të zhvillimit rural në të gjithë vendin”.
E pranishme në agroturizmin “Hani i Qerosit” në Kuçovë, gjatë takimit me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme, Denaj vlerësoi agroturizmin si një nga sektorët më të rëndësishëm të zhvillimit ekonomi të vendit.
“Para 5 viteve nuk kishte asnjë agroturizëm dhe pikat e para të këtyre sipërmarrjeve nisën në Berat, por dhe zona të tjera të Shqipërisë ku falë dhe financimit të qeverisë me 20 milionë euro u mbështetën 122 agroturizma. Sot kemi 300 njësi akomoduse në zonat rurale dhe parashikojmë të shkojmë në 1 mijë të tilla në 2030 dhe ky projeksion falë paketës së financimit 250 milionë euro me kredi të butë që mbështet investimet në këtë sektor”, tha Denaj.
Ajo vlerësoi punën e fermerëve dhe agrobiznesit për ngjitjen e emrit të prodhimeve “made in Albania”, në tregjet ndërkombëtare teksa shtoj se ka ende për të çuar më tej zhvillimin e sektorit.
Denaj tha se, kjo paketë e rëndësishme financimi po konsultohet edhe me grupet e interesit, ndërsa njoftoi se kanë filluar aplikimet për kredinë e butë.
“Një financim 250 milionë euro që lëvrohet nga bankat e nivelit të dytë me normë interesi nga 2% deri 3.5%, zbatohet për herë të parë në sektorin e bujqësisë. Në qershor përfundojmë edhe garancinë sovrane, që do të mbulojë 70% të kolateralit me fondet e shtetit, duke siguruar edhe një normë të ulët interesi në 2%”, tha ajo.
Denaj vuri në dukje se, vetëm në Qarkun e Beratit vitet e fundit ka 10 milionë euro investimeve.
“Po të përfshijmë edhe financimet nga Skema Kombëtare dhe Skema e Investimeve, shuma shkon në 23 milionë euro investime në mbështetje të bujqësisë dhe agroturizmit vetëm për këtë qark”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, agroturizmet janë nukli i parë i zinxhirit të vlerës. “Ne sot mesatarisht llogarisim që një agroturizëm bën bashkë 22 familje dhe atë që ne themi bashkim i operatorëve, ndodh automatikisht në agroturime ku mesatarisht 22 familje me 11 ha, punojnë për një agroturizëm që do të thotë një rimilitarizim i plotë edhe i bujqësisë në këto zona, teksa 50% e të punësuarve janë të rinj dhe 70% janë zonja që ruajnë dhe zhvillojnë traditën dhe kulturën autoktone”, deklaroi Denaj.
/a.f/