“Paketa e Maleve”, Rama: Kapërcyem kalvarin për investime në mungesë të letrave të pronësisë

TIRANË, 18 mars/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri Edi Rama u ndal sot te “Paketa e Maleve”, e cila sipas tij mundëson investimin edhe në mungesë të letrave të pronësisë, vetëm me një konfirmim nga këshilli bashkiak.
Gjatë një takimi në Kuçovë me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mesme të zonave rurale, Rama u shpreh se përmes Paketës së Maleve kemi kapërcyer me ligj, jo me fjalë, të gjithë kalvarin e përpjekjes sidomos të atyre në emigracion për të investuar në mungesë të letrave të pronësisë.
“Kjo si rezultat i faktit se në shumë zona në veri apo në jug nuk është pranuar ligji 7501 dhe kanë qëndruar në tokat e të parëve. Nuk kanë konflikte me njëri-tjetrin përgjithësisht por e kanë të pamundur që të marrin tokën”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se për këtë çështje është bërë edhe një ligj i posaçëm që cilido që do të investojë në tokën e vetë mund ta bëjë thjesht me një dëshmi të konfirmuar nga këshilli bashkiak.
“Dihet se ka këtë territor dhe nuk ka konflikte me fqinjët, por edhe se nuk hyjnë te ligji 7501. Ligji 2020 u bë për këtë, por na ka shfaqur komplikime. Ndaj këtu hapim një korsi paralele që mund të vazhdojë investimin e vetë pa pasur nevojë t’i ketë të gjitha dokumentet, që ndërkohë do t’i bëjë avash avash me ligjin 2020, por duke marrë me këshillin bashkiak konfirmimin se kjo është toka e e tij”, tha Rama.
Mbi atë bazë, Kryeministri theksoi se me projektin merr lejen direkt dhe fillon punën. “Ndërkohë edhe me linjën e financimit kjo na jep mundësinë të shkojmë shumë më përpara me zhvillimin e agroturizmit dhe agropërpunimit”, shtoi ai.
/a.f/