E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënimet për korrupsion, ish-zv.ministri Jaka lë qelinë

TIRANË- Ish-zv.ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, ka lënë qelinë ditën e sotme, pas vendimit të Gjykatës së Tiranës disa javë më parë. Trupi gjykues, i kryesuar nga Martin Deda e dënoi ish-zv/ministrin me 12 muaj e 20 ditë burg, nga llogaritja e së cilave i mbetej veçse pak kohë në qeli. Ndërkohë, përveç ditëve të burgut që zvministrit Jaku ka bërë, ai është i detyruar të paguajë edhe gjobën prej 500 mijë lekësh të reja si dhe të mos ushtrojë funksione publike, për 3 vitet e ardhshme. Shkak për këtë masë dënimi, sipas vendimit, ka qenë deklarimi i tij fajtor për veprën penale të "ushtrimit dhe ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Gjithashtu, në dispozitivin e vendimit të lexuar nga kryesuesi i treshes gjykuese thuhet se i pandehuri Jaku ndalohet të ushtrojë funksione publike për tre vitet e ardhshme, që nga marrja e formës së prerë të vendimit.

***

Gjatë vendimit të Gjykatës, ish-zv.ministri i Transporteve, sikurse ish-kreu i Rrugëve, kanë preferuar të mos jenë të pranishëm gjatë leximit të verdiktit, në sallën e tejmbushur nga të afërmit e tyre. Po aq sa Nikolin Jaka u dënua edhe ish-kreu i Prokurimeve, Bashkim Kamberi, si dhe dy biznesmenët që ofruan ryshfet, Skënder Bokçiu dhe Isuf Ukperaj, ndaj të cilëve u shtua edhe dënimi me gjobë me nga 600 mijë lekë të reja secili. Ndërkohë, i pandehuri Xhevahir Muçogllava që është hetuar dhe gjykuar në liri u dënua përfundimisht me 12 muaj burg, ndaj edhe gjykata urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga qelia. Sipas vendimit të gjykatës, dënime disi më të rrepta kanë marrë Ilirjan Berzani, që u deklarua fajtor për veprën penale të "korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike" dhe "shpërdorim detyre" dhe u dënua me 2 vjet burg dhe 2.6 milionë lekë gjobë, njëkohësisht duke u ndaluar të ushtrojë funksione publike për 6 vitet e ardhshme si dhe Arjan Sheti, i cili u dënua me 16 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë. Këto vendime, sipas togave të zeza, janë në aplikim të gjykimit të shkurtuar, çka u ka ulur të pandehurve 1/3 e viteve të burgut.

***

Pas përfundimit të këtij vendimi, burime nga prokuroria thanë për "Shekullin" se: "këto vendime të Gjykatës do t'i apelojmë pranë Gjykatës së Apelit, pasi janë dënime shumë të vogla në krahasim me ato që organi i akuzës ka kërkuar". Ndërkohë, vetëm pak javë më parë, prokurori i çështjes Ardian Braho, gjatë leximit të konkluzioneve përfundimtare, kërkoi nga gjykata deklarimin fajtor të të pandehurve për akuzat që rëndojnë mbi ta dhe dënimin e tyre përfundimisht në total me 18 vjet e 9 muaj burg si dhe 9 milionë lekë gjobë. Ndërsa sipas vendimit të gjykatës, të shtatë të pandehurit u dënuan përfundimisht me 8 vjet e 6 muaj e 20 ditë burg dhe 4 milionë e 700 mijë lekë gjobë. Ndërkaq, mbrojtja dhe vetë të pandehurit kërkuan pafajësi para gjykatës në ditën e leximit të pretendimeve të tyre përfundimtare, duke i quajtur akuzat të pabaza dhe të sajuara nga prokuroria. Sipas vendimit të gjykatës, ish-zyrtarët e Ministrisë së Transporteve dhe Drejtorisë së Rrugëve si dhe dy biznesmenët, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë abuzuar në lidhje me paracaktimin e katër fituesve të tenderave për ndërtimin e katër segmenteve rrugore, që zhvilloheshin pranë Ministrisë së Transporteve, duke përvetësuar nga fituesit 10 % e vlerës së çdo tenderi.

VENDIMI

Nikolin Jaka, me 1 vit e 20 ditë burg dhe 500 mijë lekë gjobë

Ilirjan Berzani, me 2 vjet burg dhe 2.6 milionë lekë gjobë

Arjan Sheti, me 1 vit e 4 muaj burg dhe 400 mijë lekë gjobë

Bashkim Kamberi, me 1 vit e 20 ditë burg

Xhevahir Muçogllave, me 1 vit burg, u lirua në gjyq

Isuf Ukperaj, me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë

Skënder Bokçiu, me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›