“Dënimet për protestat, në kundërshtim me Kushtetutën” – Revolta studentore, ish prokurori Karanxha: Ushtrimi i dhunës nga policia është i papranueshëm
Ish-prokurori, Ervin Karanxha ka kundërshtuar ashpërsimin e dënimeve për protestat, duke paralajmëruar se masa të tilla mund të bien ndesh me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

I ftuar në News24, Karanxha theksoi se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar dhe nuk mund të kufizohet përmes dënimeve joproporcionale.
Duke u ndalur te paketa e re ligjore e paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, ish-prokurori iu referua vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, të cilat, sipas tij, kanë përcaktuar kufijtë që duhet të respektojë ligjvënësi kur vendos masa ndëshkuese.
Ai theksoi se këto masa nuk mund të miratohen me shpejtësi dhe se është e nevojshme që të konsultohen me profesionistë.
“Mendoj që këto masa duhet të diskutohen me profesionistët. Të mos kalohen shpejt dhe do të ishte mire që të shikohet shkaku se përse është arritur në këto protesta dhe duhet të kishte dialog. Ka një ndryshim protesta e Shqipërisë me protestën në Francë.”, tha ai.
Ai e cilësoi si të papranueshme edhe sjelljen e policisë ndaj të rinjve, duke theksuar se ka tejkaluar forcën dhe ka ushtruar dhunë.
“Mendoj se sjellja e policisë në fillim ka qenë në rregull, por kohët e fundit, elementë të caktuar, punonjës, kanë pasur kapërcim. Përshembull kur personi është neutralizuar nuk mund të goditet. Rasti i thyerjes së këmbës, goditje në pjesën e sipërme me plumba gome. Duhet të jemi të kujdesshëm. Edhe kur qytetari shkel ligjin, të reagohet në mënyrë proporcionale. Ushtrimi dhe teprimi i dhunës është i papranueshëm.”, tha ai.