E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIDEO/ Çfarë premtonte Edi Rama për fshatin dhe si është gjendja sot me çmimet e produkteve bujqësore

Në vitin 2013, gjatë një takimi elektoral, Edi Rama premtonte se një pjesë e madhe e vendeve të reja të punës do të krijoheshin në fshat, duke e lidhur zhvillimin e punësimit me mbështetjen e prodhimit bujqësor dhe garantimin e çmimeve të arsyeshme për fermerët dhe konsumatorët.

“Ne flasim për punësim, punësim, por çfarë punësimi? Ku? Pjesën më të madhe të punësimit ne duam ta realizojmë në fshat, nga ato vende pune që kemi premtuar”, deklaronte Rama.

Ai theksonte se prodhimi bujqësor duhej të ishte ekonomikisht i leverdishëm për fermerët, duke kritikuar situatën kur kostot e prodhimit ishin më të larta se çmimi me të cilin shiteshin produktet.

“Në qoftë se do të prodhojë fshati… Jo si sot, që edhe kur prodhojnë, në një pjesë të madhe kushton ta prodhosh më shumë sesa çmimi që e shet. Atëherë, për çfarë ta prodhoj?”, shprehej ai.

“Qyteti do të blejë ushqime nga fshati me çmim më të arsyeshëm. Jo të dridhesh kur sheh një kokërr mollë, se nuk e blen dot”, deklaronte Rama në atë kohë.

“Po nuk realizuam këto, çfarë do të realizojmë ne? Po s’i bëmë këto, për çfarë duhemi ne? E për çfarë duhet politika? Për çfarë duhet vota?”, përfundonte Rama në takimin elektoral të vitit 2013.

Sot, fermerët vijojnë të përballen me kosto të larta të prodhimit, ndërsa çmimet me të cilat shesin produktet e tyre shpesh nuk u garantojnë fitimin e duhur. Ndërkohë, konsumatorët përballen me çmime të larta të produkteve bujqësore në treg, duke rikthyer në vëmendje premtimin e vitit 2013 për një fshat më të zhvilluar dhe ushqime më të përballueshme për qytetarët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›