Dënimi i Salianjit, Berisha: Të nisim betejën për ekzistencën e opozitës

TIRANË,26 shtator/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha tha sot, se ka solidaritetin më të madh për deputetin Ervin Salianji, i cili u dënua me vendim të Gjykatës së Apelit me 1 vit burg për kallëzim të rremë në lidhje me dosjen “Babalja”.
Kreu i PD, Sali Berisha u shpreh se deputeti demokrat, Ervin Salianji u dënua sepse guxoi të demaskojë dhe denoncojë klanin më të rrezikshëm të drogës.
“Është rasti i parë në historinë e Shqipërisë që një njeri dënohet për kallëzim të rremë. Është rasti i parë në historinë e botës që një kallëzim i vërtetë, shpallet kallëzim i rremë”, u shpreh Berisha.
Kryetari i PD-së, u ka bërë thirrje demokratëve që të lënë mënjanë ndasitë dhe inatet e të bashkohen. “Të lëmë mënjanë gjithçka, të nisim betejën për ekzistencën e opozitës…Ja të vdesim, ja të rrojmë për liri.”
/a.f/