E Enjte, 5 Nëntor 2026

IZRAEL – Ministri i Mbrojtjes aprovon operacionet e reja ushtarake në Liban

TEL AVIV, 26 shtator /ATSH-DPA/ – Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant konfirmoi sot se sulmet ushtarake në Liban do të vazhdojnë, pavarësisht përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për sigurimin e një armëpushimi.

“Kam aprovuar grupin e operacioneve të radhës”, njoftoi Gallant përmes një postimi në rrjetin social X.

“Ne vazhdojmë të eliminojmë terroristët e Hezbollahut, të çmontojmë infrastrukturën ofensive, të shkatërrojmë predha dhe raketa. Misionet që kemi përpara janë të qarta dhe ne jemi të vendosur të sigurojmë kthimin e sigurt të komuniteteve veriore të Izraelit në shtëpitë e tyre”, shtoi ai.

Gallant u takua sot me zyrtarë të lartë të ushtrisë për të diskutuar rreth sulmeve ajrore izraelite kundër Libanit, përfshi edhe ato pranë kryeqytetit Bejrut.

Një kërkesë e përbashkët për një armëpushim 21-ditor u propozua më herët nga një grup vendesh si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Franca, Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katari.

Armëpushimi i kërkuar synon krijimin e hapësirës për një zgjidhje diplomatike të konfliktit mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban, si edhe luftës gati njëvjeçare në Gaza.

Por, zyra e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e refuzoi planin, duke deklaruar se një armëpushim i mundshëm nuk do të jetë i afërt.

/u.sh/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›