Dënimi i Skënder Tufës për prostitucion, test për median dhe shoqërinë
Edhe pse ka 22 ditë që Skënder Tufa, i dënuar 7 vjet për prostitucion, jep leksione morali, shumica e mediave, organizatave joqeveritare dhe opinionbërësve, s’kanë mbajtur qëndrim ndaj këtij sakrilegji. Organizatat e të përndjekurve mund të kenë vështirësinë e konfliktit me një ish-ish-bashkëvuajtës, por mediat dhe shoqëria po humbasin dy teste të rëndësishme, testin e standardeve të moralit, por edhe testin e pavarësisë së tyre nga porositësit e grevës politike
Shumë ditë pas publikimit të vendimit të të gjithë sistemit gjyqësor të Shqipërisë, i cili e ka dënuar Skënder Tufën me 7 vjet burg për shfrytëzim prostitucioni, të cilat i ka kryer kokërr më kokërr, nga 2004-a deri më 2010-n, reagimi i vetëm gjysmë i vërtetë i shoqërisë ka ardhur nga vetë grevistët ish-të përndjekur, të cilët janë munduar të distancohen prej prej tij (por pa sukses). Asnjëra nga organizatat e tjera të ish-të përndjekurve politikë s’mundi që publikisht të vendoste standardin moral e të shpallte se s’mund të përfaqësohej e assesi të kishte zë nga një kodosh i prostitucionit të ri të shoqërisë shqiptare. Por nëse konflikti i interesit për shkak të objektit të grevës i ka penguar shoqatat e ish-të përndjekurve të nisin një luftë “vllavrasëse” në publik, paçka se është e qartë se grevistët janë mercenarë të një pale politike që prej 70 vitesh s’ua ka dashur të mirën, qëndrimi ndaj koordinatorit të grevës së të përndjekurve nxjerr zbuluar jo veç mediat e opinionbërësit më në zë në vend, por edhe krejt zërat e pavarur që “militojnë” në shoqërinë civile. Dje pamë ndoca dhjetëra gazetarë të 3 mediave të Edvinit, të cilat, sipas shkollës së vjetër të Bashkimeve Profesionale, kishin marrë një detyrë politike e jo një detyrë gazetare. Ata s’shqetësoheshin për përmbushjen e misionit e as për pengesat që mund t’u kishin dalë në profesion, por luajtën një nivel më të lartë të Skënder Tufës, duke u shfaqur si zëdhnësit e vërtetë të porositësve të grevës së (tashmë) 8 ish-të përndjekurve. Ata i shqetësonte konsiderimi i grevës, jo greva vetë, hapja e çadrave dhe jo mundësimi i pasqyrimit të grevës. Ky militantizëm tmerron kur sheh se asnjë qëndrim s’merret për standardin moral që Skënder Tufa i ka imponuar grevës së ish-të përndjekurve politikë. Reporterët që ishin dje në protestë s’guxuan asnjëherë t’i thonë të dënuarit për prostitucion, nëse ishte gati të largohej nga funksioni porositës i koordinatorit, veç që të mos komprometojë standardin moral të grevës së urisë. Asnjëri s’pyeti sepse të gjithë kishin porosi ta injoronin dosjen e dënimit. Porositësit e grevës mesa duket kanë pasur shumë vështirësi të qëmtojnë ndër radhët e të përndjekurve, një të paudhë për funksionin e zëdhënësit të një greve politike, saqë u detyruan t’i drejtohen një ish-të përndjekuri pa standarde për të pasur një jetë publike, aq më tepër për t’u shndërruar në zëdhënës të një kauze politike. Për këtë rekrutim, fatkeqësisht, mediat kanë adaptuar një linjë editoriale përshtatëse e në rastin më të mirë neutrale, duke e thjeshtuar punën për mercenarin që e ka zëvendësuar detyrën e të korrektuarit prej shoqërisë me detyrën e lektorin për standarde morale. Këtë pozicion dorëlëshues kanë adaptuar edhe organizatat e shoqërisë civile, të cilat duke mos dashur të marrin ndonjëfarë pozicioni për grevën (vlerësim që edhe mund të kuptohet), po heshin edhe për një bidat që po na mbin si version i qytetarisë tonë, bidatin e pranimit të një kodoshi të prostitucionit, si zëmadh për aspiratën e integrimit të ish-të përndjekurve politikë. Deri më tani ky test ka dështuar për mediat dhe për shoqërinë.... Mund të merret disi me mend droja e ndoca ojq-ve periferike apo mediave që janë mësuar të shkojnë pas berihajit, por opinionbërës që flasin edhe moshën e zvogëluar të fluturave në Shqipëri apo rëndësinë e dashnoreve shqiptare të Sulejman Pushtuesit në një telenovelë turke, mund ta luajnë cerberin e moralit të shoqërisë, kur është fjala për të mos ia lënë një kauzë morale, një eksponenti të prostitucionit në fillimin e këtij mijëvjeçari.
...