Dënimi për Gecët, reagojnë veteranët e UÇK-së

Administrata ndërkombëtare, përmes mekanizmave të ashtuquajtura të drejtësisë, vazhdimisht organizoi komplote kundër luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kështu thuhet në reagimin e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së, pas dënimit të tre ish-luftëtarëve të UÇK-së.
“Për më shumë se një dekadë, ishim dëshmitar se ata që erdhën për të na mbështetur në ngritjen dhe forcimin e sistemit të drejtësisë, vetëm se shkaktuan dështimin total të drejtësisë në Kosovë”, thuhet në reagimin e tyre.
Sipas OVL së UÇK-së, si mund të ketë stabilitet dhe siguri një shtet, pa u eliminuar ndikimi i politikës nga vendimet e gjyqësorit? Përderisa drejtësia është nën trysninë politike, në këtë rast të trysnisë së politikës serbe e cila vazhdimisht kërkon dënimin e luftëtarëve të UÇK-së përmes mekanizmave ndërkombëtare, nuk kemi të bëjmë në asnjë mënyrë me zbatimin e normave ligjore.
“Organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, shprehin shqetësimin, për dënimin e bashkëluftëtarëve tonë: Sabit, Rrustem e Hetem Geci, pas një procesi të ndërtuar mbi deklarata të rrejshme të bashkëpunëtorëve të Serbisë. Duke mos besuar aspak në vendimin e të ashtuquajturave organe të drejtësisë, të gjithë bashkëluftëtarët, për ne dhe popullin do të mbetën përherë të nderuar, respektuar e mbi të gjitha ata perceptohen nga populli si luftëtarë të lirisë dhe heronj të çlirimit të vendit tonë nga okupimi 86 vjeqar sllav:, thuhet ndër të tjera në reagimin e veteranëve.
Ata thonë se, mandatit ekzekutiv të EULEX-it po i vie fundi. Por pasojat për luftëtarët e persekutuar dhe familjarët e tyre, do të mbesin të përhershme. Nuk është e lehtë të ballafaqohesh me proces gjyqësor, e sidomos kur është totalisht i pabazë, i padrejtë dhe tendencioz. Le të bie kjo barrë mbi të gjithë ata që e kishin mundësinë të i ndërpresin këto procese, e nuk bën asgjë për mbrojtjen e luftëtarëve të lirisë nga persekutimi i vazhdueshëm./Indeksonline/