E Diel, 1 Nëntor 2026

Qeveria maqedone thotë se po punon në normalizimin e raporteve

Qeveria e Maqedonisë thotë se po punohet intesivisht për normalizimin e raporteve tregtare me Kosovën. Sipas saj, autoritetet e dy vendeve janë në kontakt të vazhdueshëm dhe po shqyrtojnë mundësitë për anulimin e vendimeve për taksat rrugore për shtetasit kosovar dhe për prodhimet maqedonase për tregun e Kosovës.

Qeveria në Shkup vlerëson se zgjidhja mund të arrihet me heqjen e njëkohshme të vendimeve nga të dyja shtetet.

Kurse, Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili ka negociuar të enjten nga Prishtina me autoritetet e qeverisë së Maqedonisë për zgjidhjen e ngërçit tregtar që u krijua mes dy vendeve, ka thënë se marrëveshja për tejkalimin e problemit është shumë afër.

Por, këshilltari i tij, Driton Lajçi, ka thënë se Shkupi zyrtar ka pranuar heqjen e taksës prej 2 eurosh për shtetasit e Kosovës, ndërsa, sipas tij, shumë shpejt do të hiqen të gjitha masat që Maqedonia ia ka vënë Kosovës.

Megjithëkëtë, në vendkalimin kufitar në Bllacë, shtetasit e Kosovës vazhdojnë të paguajnë taksa për të hyrë në Maqedoni: 2 euro për person, 5 euro për veturë dhe 10 euro për autobus dhe kamion.

Por, ata kufirin e kalojnë në këmbë për shkak të bllokadave të transportuesve maqedonas, të cilët kanë ndërmarrë këtë masë në shenjë proteste ndaj vendimeve të të dyja vendeve. /Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›