Dënimi për shfrytëzim prostitucioni i Skënder Tufës s’ka asnjë lidhje me deklaratat e Hysen Shoshorit
Përgënjeshtrim i Avokatëve Genci Terpo dhe Haki Kraja, ndaj lidhjeve që mediat pranë Edi Ramës i bëjnë dënimit të Skënder Tufës me deklaratat e Hysen Shoshorit
Duke marrë shkas nga materiali i publikuar datën 14.04.2011 në gazetën “Shekulli” me titull“Juristët Haki Kraja dhe Genci Tërpo: Si u montua gjyqi ndaj njeriut që regjistroi kasetën me dëshminë e Hysen Shoshorit” çmojme se është e nevojshme të sqarojmë dhe të përgënjeshtrojmë këtë të fundit si një keqpërdorim për emrin tonë dhe i përmbajtjes së vetë materialit të publikuar duke e lidhur qëllimisht dhe në mënyrë të pavërtetë me një çështje tjetër që nuk ka asnjë lloj lidhje me përmbajtjen.
Konkretisht gazeta “Shekulli” në mënyrë të pavërtetë përdor emrin e dy avokatëve të njohur pa na kontaktuar dhe pa komunikuar asnjëherë qoftë edhe me njërin prej nesh. Kjo gazetë ka përdorur një titull artikulli të fabrikuar prej saj qëllimisht që nuk e lidh aspak me çështjen në fjalë dhe komenti, nuk është absolutisht qëndrim i asnjërit prej ne, dy ish-avokatëve të kësaj çështjeje.
Ne avokatët Haki Kraja dhe Genci Tërpo sqarojmë se kemi përfaqësuar si avokatë të Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut ish-të denuarin Skëndër Tufa në një proces gjyqësor penal ku ky i fundit akuzohej për veprën penale të parashikuar nga neni 114 shkronja (a) pika 6 e Kodit Penal, për figurën e krimit të "shfrytëzimit të prostitucionit në bashkëpunim".
Mbi këtë çështje ekziston edhe një vendim i Gjykatës së Apelit, Tiranë, i cili lë në fuqi Vendimin Nr.715 datë 23.06.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë duke e dënuar të pandehurin Skënder Tufa, me 7 vjet heqje lirie për veprën e sipërcituar.
Ky proces ka pasur ecurinë e tij dhe si mbrojtës të të pandehurit kemi bërë detyrën tonë sipas kërkesave të vetë ligjit duke mbajtur qëndrimin mbrojtës në këtë çështje.
Sqarojmë se në asnjë rast si profesionistë dhe ekspertë nuk kemi evidentuar se çështja për të cilën kemi mbrojtur të pandehurin Skënder Tufa, të ketë lidhje me atë çka është publikuar ditët e fundit në gazetën “Shekulli” lidhur me deklaratat e një personi të quajtur Hysen Shoshori.
Ky sqarim që ne bëjmë është i bazuar në të gjitha provat që gjenden në dosjen e gjykimit për akuzën e ngritur ndaj të pandehurit Skënder Tufa.
Në të gjithë fashikullin e gjykimit por edhe në dosjen hetimore nuk ka asnjë citat të vetëm që i lidh së bashku këto dy çështje dhe lidhja që i bën gazeta “Shekulli” atyre ngarkon me përgjegjësi vetëm Redaksinë e Gazetës.
E ritheksojmë edhe një herë se lidhja që u bën kjo e përditshme dy rasteve të sipërcituara pra dënimit të të pandehurit Skënder Tufa dhe deklaratave të shtetasit Hysen Shoshori nga informacioni ynë si avokatë dhe ekspertë të çështjes është totalisht e pavërtetë dhe e inskenuar. Sqarojmë, se komenti i gazetës “Shekulli” duke përdorur emrin tonë si mbrojtës të të pandehurit Skënder Tufa, janë qëndrime vetëm të kësaj gazete që s’kanë lidhje në asnjë rast me emrin tonë dhe me çështjen që ne kemi përfaqësuar.
Lidhur me këtë rast të paprecedentë të kryer ndaj nesh si avokatë dhe ekspertë të ligjit na krijohet bindja se kemi të bëjmë me një qëndrim që cënon figurën dhe profesionalizmin tonë dhe është një veprim i papërgjegjshëm i bërë nga kjo gazetë.
Rreth kësaj çështjeje i kemi kërkuar edhe kryeredaktorit të gazetës “Shekulli” që të mbajë qëndrim përgënjeshtrues mbi këtë material të pavërtetë.
Në rast mungese të një reagimi përgënjeshtrues të Gazetës “Shekulli”, si avokatë dhe njohës të ligjit do detyrohemi të marrim veprime që na krijojnë bindjen se do të sillnin pasoja ligjore për këtë media.