E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dënohet 25 vjet “Mile Çami”, ekzekutoi nënën e Lul Cakës

FIER - Autorët e vrasjes së nënës së Lulzim Cakës do të vuajnë 75 vite burg. Fatmir Emini apo, siç njihet ndryshe me emrin Mile Çami, si dhe vëllezërit Artan e Bledar Yzeiri, u dënuan dje nga Gjykata e Fierit me nga 25 vite burg. Pas konkluzioneve përfundimtare të Prokurorisë së këtij rrethi, një muaj më parë dhe më pas konkluzioneve të mbrojtjes, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Alfred Konomi, Pirro Sota dhe Matilda Shalla, janë tërhequr për marrjen e një vendimi. Dje, ata vendosën të dënonin me nga 25 vite burg të akuzuarit, duke i cilësuar si të mjaftueshme provat e Prokurorisë. Pas hapjes së dosjeve të vjetra, prokuroria rimori në pyetje mjaft dëshmitarë. Në sajë të dëshmive të tyre, por edhe të provave të tjera, akuza kërkoi shpalljen fajtorë dhe dënimin me burgim të përjetshëm të tyre për vrasjen e Xhevrije Cakës. Ndërsa mbrojtja argumentoi se organi i akuzës nuk ka arritur të sigurojë prova të mjaftueshme ndaj klientëve të tij, duke kërkuar që të mos pranohet kërkesa për dënimin e të pandehurve. Sipas Prokurorisë, Mile Çami dhe dy vëllezërit Yzeiri akuzohen për veprën penale të “vrasjes me paramendim për interes gjakmarrjeje”, kryer në bashkëpunim. “Në vitin 1999, i dënuari Lulzim Caka është arrestuar dhe qëndronte në dhomat e paraburgimit të Komisariatit të Policisë Fier. Më 1 korrik të këtij viti, ka ardhur në Fier nëna e Lulzim Cakës, Xhevrije Caka, për të takuar të birin, bashkë me dhëndrin e saj. Paraditen e kësaj date, pranë Komisariatit të Policisë Fier po lëviznin me një autoveturë tip ‘Benz’ të pandehurit Artan Yzeiri dhe Bledar Yzeiri e disa persona të tjerë të dyshuar. Në momentin që e ndjera Xhevrije Caka është afruar pranë Komisariatit, për të takuar djalin e saj, është afruar aty dhe automjeti i të pandehurve. Më pas, Artan e Bledar Yzeiri, në bashkëpunim me persona të tjerë kanë rrëmbyer të ndjerën Xhevrije Caka dhe e kanë futur me forcë në automjetin e tyre”, thuhej në dosjen e Prokurorisë. Më tej, sipas hetimeve të kryera, automjeti i të dyshuarve, shoqëruar nga makina të tjera, janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së “Zogut të Zi”. Kunati i Lulzim Cakës është kthyer në shtëpi i terrorizuar dhe, pasi ka biseduar me bashkëshorten, ka shkuar e ka denoncuar në Policinë e Fierit rrëmbimin e vjehrrës. Të nesërmen, në vendin e quajtur “Stani i Durajve”, në perëndim të fshatit Seman i Ri, është gjetur e vrarë me armë zjarri Xhevrije Caka. Për këtë ngjarje akuzohet si organizator Fatmir Emini, duke u cilësuar si ngjarje për shkak të hasmërisë me Lul Cakën.

Hakmarrja e Eminit ndaj Cakës pasi i vrau vëllain
Prokuroria argumentoi se motivet e vrasjes së Xhevrije Cakës kanë qenë për hakmarrje e gjakmarrje, motive të cilat kanë bashkuar në kryerjen e veprës penale te pandehurin Fatmir Emini me të pandehurit Artan dhe Bledar Yzeiri, e persona të tjerë në formën e grupit të strukturuar kriminal. “Më 9 maj 1997, në fshatin Rërëz të Beratit janë vrarë me armë zjarri nga i dënuari Bedri Çala, të ndjerët Mimoza Çala dhe Lefter Yzeiri. Për këtë vrasje, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Berat ka deklaruar fajtor Bedri Çalën duke e dënuar përfundimisht me 20 vjet burgim, vendim i cili ka marrë formë të prerë dhe është nxjerrë urdhri i ekzekutimit. Pas kësaj ngjarjeje, i dënuari Luzim Caka ka hyrë në konflikt me familjen e Yzeirëve për faktin se ishte mik i familjes së Çalëve. Në disa raste, i dënuari Lulzim Caka është njoftuar nga të afërm të tij se duhet të ketë kujdes nga familja e Yzeirëve, pasi kishin dëgjuar se do ta vrisnin dhe ruhej për shkak të këtij konflikti”, thuhet në konkluzionet e Prokurorisë. Më tej, citohet se më 21 korrik 1997, në qytetin e Lushnjës, në lavazhin “Sadiku”, është vrarë me armë zjarri Pëllumb Emini, vëllai i të pandehurit Fatmir Emini. Për vrasjen e Eminit, Gjykata e Fierit ka deklaruar fajtor Lulzim Cakën, duke e dënuar përfundimisht në bashkim dënimesh me 25 vjet burgim.

(er.nu/panorama/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›