Dënohet për korrupsion ish- funksionari i Mbrojtjes
Shkëlzen Madani, ish drejtor në Ministrinë e Mbrojtjes, duhet të vuajë 1 vit e tetë muaj burg, ndërsa është i pandehur në procesin e Gërdecit
Gjykata dënoi dy përfaqësuesit e dy firmave të tregtimit të dinamitit me burg dhe shpalli të pafajshëm ish- komandantin e furnizimit
TIRANE- Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet dha dje vendimin për dy ish- zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtes dhe dy ish- funksionarë të një firme private të akuzuar për korrupsion pasiv. Ish- Drejtori i Instalimeve dhe Menaxhimit të Burimeve Njerëzore, Shkëlzen Madani u dënua nga gjykata me një vit e tetë muaj burg.
Madani gjithashtu është një nga 29 personat e akuzuar nga Prokuroria e Përgjithshme në procesin penal që ka kaluar për shqyrtim nga Gjykata e Lartë në atë të Shkallës së Parë në kryeqytet, për tragjedinë e Gërdecit. Po kështu ish- funksionari i lartë i Ministrisë së Mbrojtjes, u dënua nga Gjykata që për një vit të mos ushtrojë detyra dhe funksion apo veprimtari publike.
Ai ishte akuzuar për favorizim të subjekteve në tregtinë e lëndëve plasëse në licensimin e tyre. Ish- administratori i firmës "Geoconsult", Ferdinand Hodo, u dënua nga gjykata me një vit e dy muaj burg, si dhe me 500 mijë lekë të reja gjobë. Ndërkaq ish- përfaqësuesja ligjore e subjektit, Aurela Çota, bashkëpunëtore e Hodos, në subjektin "Nitromak Albania", u akuzua dhe dje u dënua me dhjetë muaj heqje lirie.
Ndërkaq ish- Komandanti i Brigadës së Furnizimit në Komandën e Logjistikës së Ushtrisë, kolonel Kadri Suli, u shpall i pafajshëm, duke hedhur poshtë akuzat e ngritura ndaj tij nga organi i akuzës në kryeqytet, pas arrestimeve të kryera për këtë çështje në muajin maj të vitit të kaluar.
Madani u arrestua nga policia në muajin maj, me vendim të gjykatës, për shkak se nga përgjimet dhe vëzhgimet e kryera nga prokuroria dhe policia ai ishte përfshirë në një aferë korrupsioni. Ndërkaq përfaqësuesja e "Nitromak", Aurela Çota, u arrestua pas përfundimit të një dasme tek disa të afërm ku ajo kishte qenë e ftuar.
Arrestimet u kryen në të njëjtën kohë, duke shmangur në këtë mënyrë mundësinë që ndonjë prej ish- zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, apo personat e tjerë që rezultonin të implikuar të largoheshin. Afera kishte të bënte me licensimin e subjekteve konkurruese që do të furnizonin me lëndë plasëse kompaninë ndërtuese të rrugës Durrës- Kukës "Bechtel- Enka", e cila po e përdorte lëndën plasëse për hapjen e tunelit të Kalimashit si dhe për hapjen e sipërfaqeve dhe masiveve shkëmbore në terrenin nëpër të cilin tashmë kalon autostrada.
Hetimet për këtë aferë korruptive kishin nisur në muajin janar të vitit të kaluar, pas denoncimit të një prej kompanive që ishte përfshirë në tregtimin e lëndëve plasëse. Përfaqësuesit e një prej kompanive depozituan në prokurori
kallëzimin mbi aferën mitmarrëse dhe korruptive nga personat që ata dyshonin se ishin përfshirë.
Ndërkaq prokuroria pretendoi se kishte gjetur shkelje veç çështjes së licencimeve, edhe në drejtim të dhënies me qera të sipërfaqeve të ndryshme duke bërë licensime të kundraligjshme të dy kompanive të mësipërme, të cilat nuk i kishin plotësuar kriteret e kërkuara. Prokuroria po kështu tha në fillim të hetimit se ishin zbuluar disa objekte të Ministrisë së Mbrojtjes, që i janë dhënë me qira të papërfillshme "Nitromak"-ut dhe "Geoconsult".
Shkëlzen Madani
1vit e 8 muaj burg
1 vit heqje të të drejtës së ushtrimit të veprimtarive publike
Feridinand Hodo, 1 vit e dy muaj burg,
500 mijë lekë gjobë
Aurela Çota, 10 muaj heqje lirie
Kadri Suli
Shpallet i pafajshëm