Banka e Shqipërisë: Investimet, sipas prioriteteve
Në 6-mujorin e parë, portofoli i kredisë u rrit me vetëm 75 milionë dollarë. Remitancat ranë me 8% në 3 muajt e parë
BSH kërkon mbajtjen brenda planit të deficitit buxhetor, i cili ka arritur në 30 miliardë lekë në pjesën e parë të vitit
Banka e Shqipërisë i ka kërkuar edhe njëherë qeverisë të manaxhojë me kujdes shpenzimet publike duke i orientuar investimet në sektorë prioritarë.
Guvernatori i BSH-së, Ardian Fullani, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës të këtij autoriteti tha se 6-mujori i parë i këtij viti është karakterizuar nga një rritje e shpejtë e shpenzimeve dhe deficitit buxhetor, ndërsa të ardhurat buxhetore kanë shënuar rritje të moderuar.
"Megjithëse mbetet brenda nivelit të planifikuar për gjithë vitin 2009, deficiti buxhetor prej rreth 30 miliardë lekësh përbën një shifër shumë më të madhe krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar",- tha Fullani.
Banka e Shqipërisë kërkoi marrjen e masave për kontrollin brenda niveleve të planifikuara të deficitit buxhetor dhe të huamarrjes publike, duke ndihmuar në ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm dhe të jashtëm të ekonomisë.
"Banka e Shqipërisë gjykon si jetik thellimin e mëtejshëm të reformave strukturore të ekonomisë, të cilat përveç të tjerash, duhet t'i paraprijnë tendencave të ardhshme të zhvillimit.
Kështu, investimi në infrastrukturë duhet të mbetet një prioritet i përdorimit të fondeve të ekonomisë. Po kështu, zhvillimi e konsolidimi i mëtejshëm i segmenteve të tregut financiar, plotësimi dhe zgjerimi i sistemit të pensioneve në favor të elementeve të iniciativës private, investimi me prioritet në fushën e arsimit dhe të shëndetësisë meritojnë vëmendjen e të gjithë aktorëve ekonomikë."- deklaroi Fullani.
Ekonomia
Recesioni ekonomik që ka përfshirë pjesën më të madhe të vendeve me të cilët kemi marrëdhënie tregtare, sipas Bankës së Shqipërisë, ka ndikuar në uljen e shkëmbimeve tregtare dhe hyrjen e valutës në vend.
Të dy këta faktoë janë reflektuar në uljen e konsumit, të eksporteve dhe të investimeve, duke sjellë ngadalësimin e aktivitetit ekonomik dhe duke ushtruar presion mbi treguesit fiskalë të të ardhurave buxhetore dhe të deficitit buxhetor.
Dërgesat e emigrantëve u ulën me 8% gjatë 3-mujorit të parë të këtij viti dhe së bashku me përkeqësimin e llogarisë së shërbimeve, bënë që deficiti i llogarisë korente të shënonte një rritje vjetore prej 5 pikësh përqindjeje të PBB-së, gjatë këtij tremujori.
Ndërkohë, rritja ekonomike duket se do të jetë larg nivelit të vitit të kaluar. Guvernatori Fullani tha se ekonomia shqiptare ka shënuar rritje krahasimisht pozitive në pjesën e parë të vitit, pavarësisht zhvillimeve globale, por ritmet e saj janë zvogëluar. Megjithatë, sipas tij, ekzistojnë premisat për të ruajtur një rritje ekonomike pozitive.
"Portofoli i kredisë ka njohur një rritje modeste prej 7.5 miliardë lekësh ose rreth 5 herë më pak se në të njëjtën periudhë një vit më parë. Pakësimi i burimit të fondeve të bankave dhe rritja e pasigurisë në vend ndikuan në ngadalësim të dukshëm të ritmeve të rritjes të kredisë",- theksoi Guvernatori.
Megjithatë, ai tha se kreditimi i ekonomisë ka njohur rritje përgjatë muajve të parë të vitit, ndërkohë që sistemi bankar ka sinjalizuar mosshtrëngimin e mëtejshëm të kushteve të kredisë gjatë tremujorit të tretë e në vazhdim. Sipas tij, bankat kanë qenë të gatshme për të kredituar bizneset, pas stabilizimit të situatës së likuiditetit dhe lehtësimit të kushteve monetare në fillim të vitit 2009.
Fullani tha se sektori bankar e ka kaluar momentin më delikat me të cilin u përball në fund të vitit të shkuar dhe kërkoi nga ai të rrisë kreditimin e sektorit privat në vend. Ai kërkoi më shumë transparencë dhe efektivitet në produktet e tij, si dhe bëri me dije se ky sistem do të jetë nën mbikëqyrjen e vazhdueshme të Bankës së Shqipërisë.