Hotel Dajti, ikona e Bienales së Tiranës
Objekti i ndërtuar dhe i përdorur nga ideologjitë, fillimisht fashiste dhe më pas ajo komuniste, i braktisur krejt në epokën gjoja jo-ideologjike, si një pretekst simbolik, pret nga shtatori deri në tetor, 60 artistë vendas dhe botërorë.
Për herë të parë Bienalja nuk është vetëm e artit bashkëkohor. Hapësira kushtuar arkitekturës do të jetë zembereku i edicionit të ri që vjen pas tre vitesh mungesë
Hoteli që mori emrin e malit që i rri mbi shpatulla Tiranës, ikonë që në kohën e ndërtimit të tij dhe përgjatë viteve të izolimit, është vendi ku më 18 shtator hapet edicioni i katërt i Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Tiranës (Tirana International Contemporary Art Biennial) me pjesëmarrjen e 60 artistëve. Instituti i Artit Bashkëkohor në Tiranë deklaroi dje se, detajet e aktivitetit që zhvillohet pas tre vjet heshtje.
Një nga drejtorët e tij, njëherësh themelues dhe kurator i Bienales, Edi Muka, tregon në intervistën për "Shekulli"-n idenë e marrë si shkas nga vepra e mendimtarit Slavoj Zhuzhik, por e zbatuar në një objekt konkret të arkitekturës, po edhe gati ikonë popullore (për së jashtmi) për shqiptarët, si për ata që rrahin përditë rrugën para Hotel "Dajtit", si për ata që vetëm kanë dëgjuar për të.
Muka thotë se ngjarja më e madhe e artit në Shqipëri, me titullin "Efiçenca simbolike e kornizës", "synon të përdorë artin bashkëkohor si një mjet për të analizuar gjendjen e sotshme dhe për të ngritur një zë kritik në diskursin shoqëror."
Bienalja është e ndarë në tre episode, të kuruara respektivisht nga Edi Muka dhe Joa Ljungberg, Ana Dzokic dhe Marc Neelen, dhe episodi i tretë nga Corinne Diserens. Jo pa qëllim ajo nuk do jetë vetëm Bienale e Artit Vizual, rëndësi e veçantë i është kushtuar arkitekturës. Episodi i cili pritet të jetë më "i nxehti" i ekspozitës, mendohet të ngrejë "debate në lidhje me atë që ofrojnë superstarët e arkitekturës".
Nuk mungojnë projektet e artistëve vendas e të huaj me fasadat e pallateve. Madje, disa kanë kryer punë ndërkaq.
Ky edicion qëndron i hapur deri më 22 tetor.
Mbi çfarë ideje dhe ku do të ngrihet Bienalja IV e Tiranës?
Ka disa aspekte interesante edicioni i ri i Bienales së Tiranës që lidhen me ideimin e saj, po edhe me zgjerimin e fushës së interesave për sa i përket pjesëmarrjes në ekspozitë dhe disiplinave në të. Ideja e këtij edicioni ka nisur nga një analizë e dyanshme.
Njëri aspekt është pjesa teorike, e cila bazohet mbi diskursin filozofik të ditëve tona, kryesisht i bazuar mbi një libër të një prej autorëve më të njohur të ditëve të sotme, Slavoj Zhizhek, një filozof slloven. Aspekti tjetër lidhet me një ndërtesë, me një histori shumë të veçantë në qytetin e Tiranës, të cilën shumë shqiptarë padyshim e njohin: është ndërtesa e Hotel "Dajtit".
Cila është lidhja mes këtyre të dyjave?
Titulli i Bienales do të jetë "Efiçenca simbolike e kornizës". Kjo nuk ka të bëjë me kornizën fizike që përdoret për të kornizuar piktura, fotografi ose pamje, disi ka lidhje me të, por ka të bëjë më shumë me një diskurs filozofik, që vjen që nga filozofët e lashtë grekë, sipas të cilëve njeriu e ka të pamundur të krijojë një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me thelbin e realitetit.
Njeriu krijon marrëdhënie me realitetin duke kornizuar aspekte të veçanta të tij. Këto korniza mund të jenë ideologjike, mund të jenë politike, sociale, ekonomike, kulturore.
Dhe në këtë rast, Hotel "Dajti" çfarë aspekti të marrëdhënies me realitetin përfaqëson?
Duke ju referuar Zhizhekut, në momentin që njeriu vendos një kornizë realiteti që shikon brenda saj, nuk është më pjesë e realitetit që na rrethon, por fiton një autonomi simbolike të vetën.
Nëse e zhvendosim këtë diskutim filozofik në fushën e artit, atëherë artistët kornizojnë aspekte të caktuara të realitetit që na rrethon, për të cilat ne i dimë që janë aty, por nuk jemi të ndërgjegjshëm.
Ky është operacioni bazë i artistit dhe në këtë mënyrë ne e kemi marrë tezën filozofike të Zhizhekut dhe e kemi aplikuar në praktikën artistike të artistëve që janë ftuar në Bienale.
Si mund të aplikohet kjo tek Hotel "Dajti"?
Ne kemi pasur një marrëdhënie me Hotel "Dajtin", e kemi përdorur për bienalet e kaluara.
Por tani, ndërtesa në mes të Tiranës, pritet të transformohet në Ministri të Punëve të Jashtme. Sido që të jetë, kjo ndërtesë është për ne korniza perfekte dhe eficenca simbolike e kësaj kornize është shumë e lartë.
Po të marrim aspektin arkitektonik të kësaj ndërtese, ajo përfaqëson një arkitekturë të caktuar, që është arkitektura racionale e përhapur dhe e zhvilluar gjatë kohës së fashizmit në Itali.
Kjo arkitekturë përfaqëson qartësisht një ideologji, e cila u pasua nga ideologjia e sistemit komunist. Hoteli u ndërtua për të sjellë shembuj të madhërishëm të një sistemi të ri që po përpiqej të hynte në Shqipëri nëpërmjet kolonizimit dhe pushtimit të vendit dhe nëpërmjet një forme apo stili tjetër jetese, të ndryshëm nga ai në të cilin gjendej Shqipëria në atë kohë.
Pas luftës, Hotel "Dajti" u përdor nga qeveria komuniste shqiptare si vendi ku, për të njëjtat arsye mund të tregohej sërish madhështia përmes arkitekturës së këtij objekti, silleshin të gjithë delegacionet apo turistët e kufizuar që vizitonin Shqipërinë, por vetë shqiptarët nuk lejoheshin të hynin brenda tij.
Pas kësaj u kthye në një hotel normal dhe filloi një proces degradimi. Pra historia e vetë objektit dhe arkitektura e tij na japin dorë për të bërë lidhjen mes diskursit filozofik, praktikës artistike dhe vetë vendit se ku do të bëhet ekspozita.
Si është pritur propozimi juaj?
Duhet kuptuar se kjo ide përkthehet në një kontekst global, pjesë e të cilit Shqipëria është, pa diskutim, me të gjitha problemet e veta. Ky propozim është pritur shumë mirë nga kuratorët që kemi ftuar, si dhe nga artistët.
Përgjatë ditëve të Bienales do të shfaqen punët e mbi 60 artistëve dhe arkitektëve nga rreth 30 vende të ndryshme të botës, si dhe do të organizohen një numër seminaresh dhe ekspozitash të tjera, që do të jenë të lidhura me Bienalen.
Si është bërë përzgjedhja e artistëve?
Përzgjedhja e artistëve është bërë duke pasur parasysh disa aspekte. Janë zgjedhur artistë që kanë punë që lidhen me momente tranzicioni, punë që kanë të bëjnë me perceptime emocionale dhe psikologjike, punë që kanë lidhje dhe me vetë Hotel "Dajtin".
Për herë të parë do të ketë edhe aktivitete satelit, si për shembull dy net të dancit. Do të ftohen artistë dhe koreografë të dancit bashkëkohor Latifa Laâbissi, Jerôme Bel dhe Pichet Klunchun, që do të sjellin një numër performancash të mahnitshme për publikun vendas.
Cila është pjesa që mendon se mund të tërheqë ndjeshëm vëmendjen e publikut?
Është episodi i dytë i Bienales, i gjithi për arkitekturën. Natyrisht që Bienalja do të ketë artistë të arteve pamore, por që kanë një marrëdhënie të caktuar me arkitekturën.
Kjo, së pari për arsye se tema jonë lidhet me Hotel "Dajtin", dhe me gjurmimin e mënyrës se si arkitektura ndikon në shoqëri ose se si reflekton fazat e ndryshme të zhvillimit shoqëror. Së dyti, edhe për arsye se ne mendojmë që Shqipëria, sidomos Tirana, në këto vite ka një zhvillim të shfrenuar arkitekturor, në të cilin ka shumë gjëra që janë bërë, po ka shumë pak diskutim.
Episodi kushtuar arkitekturës lidhet me gjurmimin e tensioneve që lindin aty ku përplasen interesat publike me ato private.
Qëllimi është që në këtë episod të hulumtohen zhvillimet urbane të kryeqytetit shqiptar, të rajonit të Ballkanit, por edhe mjaft zonave me interes të veçantë nga vende të ndryshme të botës.
Ti vetë si ndihesh?
I lumtur që ka vepra shumë të bukura, dhe që ftesës sonë pothuajse nuk i ka thënë jo asnjë prej artistëve që menduam të sillnim në Tiranë dhe ka shumë prej tyre që vijnë për herë të parë këtu.
Vijnë artistë të kalibrit si Aernout Mik, Francis Alys, Jane Alexander, Thomas Hirschhorn, Yang Fudong, Yael Bartana, Franz Ackermann, i cili do të ngrejë një murale të madhe tek holli i Hotel "Dajtit". Marrin pjesë dhe një numër artistësh shqiptarë që punojnë në Shqipëri dhe në vende të ndryshme të botës si: Ardian Paci, Anila Rrubiku, Silva Agostini, Leonard Qylafi, Gazmend Ejupi etj.
Edicioni i sivjetshëm shënon një fazë të re në marrëdhënien e artit bashkëkohor dhe komunitetit të biznesit në Shqipëri, marrëdhënie e cila reflektohet në mbështetjen bujare të partnerëve të programit: Raiffeisen Bank, Princ Claus Fond, dhe AbiA - Austrian businesses in Albania.
Gjithashtu, episodet e T.I.C.A.B mundësohen nga bashkëpunimi me partnerët e eventeve si: Abissnet dhe Metro, Universiteti Polis dhe Co-Plan, si dhe Programi Kulturor Rajonal Zviceran. Kurse mjediset e Hotel "Dajtit" ofrohen bujarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, ndërkohë që i gjithë aktiviteti mbështetet nga një numër kompanish, ambasadash dhe fondacionesh brenda dhe jashtë vendit.
Do të thotë kjo që biznesi është ndërgjegjësuar për artin?
Sa për biznesin s'mund të them se është bërë më i ndërgjegjshëm, jo, por me sa duket, pritja 3-vjeçare ka bërë që Bienalja t'u mungojë edhe atyre.