E Martë, 3 Nëntor 2026

Denoncimi i Këlliçit: Anijet për energji në Vlorë s’punojnë, tenderi u bë për përfitim

Anëtari i kryesisë në grupin e rithemelimit, Belind Këlliçi, denoncoi nga selia e opozitës manovrat e qeverisë në fushën e investimeve të huaja.

Këlliçi tregoi se në Shqipëri po afrohet të investojë një kompani e huaj në fushën e energjisë, por pronësia e kompanisë në Tiranë lë vend për dyshime se do të ketë përfitime të paligjshme.

“Në vitin 2022 qeveria vendosi shpalljen e një tenderi me procedure emergjente për marrjen me qira të dy anijeve gjenerator. Kjo me justifikimin që Shqipëria ishte në krizë energjetike. Pavarësisht se në ligjin për prokurimet publike, shpallja e një tenderi emergjent është 10 ditë, KESH, si kontraktor, la afat vetëm 3 ditor, duke bërë shpalljen më 24 Janar dhe duke mbyllur tenderin me 27 Janar. Një fakt ky që çon në dyshime se dy kompanitë fituese ishin paracaktuara.

Duket se po vjen një kompani e madhe amerikane me prestigj si Excelerate Energy, por certifikata e regjistrimit është e një tjetër firme offshore, Excelerate Global Operations LLC. Në realitet jo. Sepse mjafton të bësh një kërkim në faqen e internetit të Excelerate Energy, për të kuptuar se aktualisht në Shqipëri nuk ka asnjë projekt të tyre në zhvillim dhe as nuk ka pasur ndonjëherë.

Ardhja e anijeve në Vlorë, u bë nga Excelerate Global Operations, e cila pasi i bleu 15 milionë dollarë, i dha me qira 2-vjeçare për 64 milionë dollarë, duke shkaktuar skandal mbi skandal në këtë aferë. Mjafton të shihet se si është thurur një rrjetë merimange mes kompanive, për të zhdukur çdo gjurmë në lëvizjet e bëra.

KESH pranon që anijet nuk punojnë, sepse KESH nuk ka përzgjedhur akoma operatorin që do të bëjë certifikimin dhe kolaudimin, edhe pse ishte një procedurë në kushtet e emergjencës dhe si e tillë u tenderua,” deklaroi z. Këlliçi.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›