E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncimi i ndërtuesve, Olldashi: Asnjë shqetësim

UPDATE- Pas denoncimit të ndërtuesve se qeveria i ka rreth 70 milionë euro borxh për punën që kanë bërë në infrastrukturë ka reaguar ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi. Sipas tij, firmat e ndërtimit po paguhen në bazë të volumit të punimeve që kanë kryer, një politikë kjo e bërë publike që në fillim të vitit.
"Realisht nuk ka asnjë shqetësim në këtë aspekt. Në vitin 2008 për shkak të ritmeve shumë të larta të financimit në rrugë, kompanitë e ndërtimit të Shqipërisë ishin në vështirësi serioze për të konsumuar ato para që buxheti i shtetit po hidhte në rrugë. Për të shmangur rrezikun e djegies së fondeve në fund të vitit, ajo që bëri ministria ka qenë mbajtje në një financim pak më të ulët të të gjitha objekteve rrugore"- ka thënë ai gjatë një konference për shtyp.
Më tej ai ka sqaruar se në qoftë se firmat nuk do të ishin në gjendje të arrinin atë që në kërkohej prej tyre, të paktën të mos digjeshin fondet e shtetit. Sipas tij, kanë nisur procedurat për likuidimin e ndërtuesve dhe nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim.

****

Rrugët e fushatës, ndërtuesit: Qeveria na ka borxh 70 mln euro

TIRANË- Qeveria është borxhlije ndaj kompanive vendase që janë marrë me ndërtimin e veprave të infrastrukturës gjatë vitit 2008, 2009 dhe në periudhën e fushatës elektorale. Deklarata është bërë publike sot nga shoqata e ndërtuesve, sipas të cilës borxhi që qeveria u ka atyre është më i madh se 70 mijë euro.
"Nga ana e institucioneve shtetërore ka një detyrim kontraktual të papaguar që arrin mbi 70 milionë euro. Bëhet fjalë për tenderët e bëra në vitin 2008 dhe që kanë vazhduar punimet edhe në vitin 2009 kur u ngarkuan me ritme të larta për fushatën elektorale", - ka deklaruar sot Maksim Muci, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Ndërtuesve.
Sipas tij, si pasojë e detyrimeve të papaguara, shoqëritë e ndërtimit rrezikojnë falimentimin.
Ai ka theksuar se këto shoqëri po shkojnë drejt falimentimit financiar në kushtet kur shoqëritë kanë marrë kredi me interesa të larta për blerjen e materialeve, pajisjeve dhe makinerive për të përballuar volumin dhe ritmin e lartë të kërkuar për realizimin e objekteve të tenderuara.
Përballë një situate të tillë, shoqata e ndërtuesve ka kërkuar që qeveria të zgjidhë këtë problem.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›