E Shtunë, 31 Tetor 2026

Denoncohet plagjiatura e Mulliqit



Plagjiatura e skulpturës së artistit Mark di Savero nga Akademik Luan Mulliqi. Farsa e dorëheqjes se stërvonuar e një dështaku. Ekskluzivisht për gazetën “standard”, Xhevdet Pantina, kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, sjell reagimin e artistëve për drejtorin e Galerisë së Arteve, Luan Mulliqin, duke e quajtur karrierën e tij të mbushur me farsë dhe dështim. (Reagimi botohet me shkurtime)

Rifillimi shpresëdhënës dhe zhgënjimi

Menjëherë pas përfundimit të Luftës (1999) një grup krijuesish të përgjegjshëm të arteve pamore ndërhyri në Galerinë e Arteve të Kosovës. Pasi kontrolloi në tërësi inventarin e Galerisë, kërkoi nga drejtori i dhunshëm serb që t’i dorëzonte çelësat. Dorëzim-pranimi u bë normalisht. U vendos unanimisht që brenda një afati të shkurtër të zgjidhet drejtori me konkurs publik. Ndërkohë, drejtori i zgjedhur, Luan Mulliqi, filloi punën me bordin 9 anëtarësh dhe me administratën aktuale.

Shpresat dhe aspiratat e të gjithëve ishin që tani e tutje, në liri, Galeria do të vazhdonte traditat e veprimtarisë profesionale dhe të harmonishme, si me stafin e brendshëm, po ashtu edhe me Shoqatat e Arteve Pamore. Por, brenda një kohe relativisht të shkurtër, gjërat filluan të keqësoheshin. Mospajtimi i parë ishte vendimi arbitrar, i padrejtë dhe i pakuptimtë që monografia e artit bashkëkohor të Kosovës të botohej pa artistët e arteve të aplikuara. Filluan dorëheqjet e para të bordit për të vazhduar vite me radhë… Luan Mulliqi po tregohej gjithnjë e më shumë jo tolerant dhe kryeneç. Po krijonte borde selektive sipas qejfit të tij, vetëm me njerëz që i shkonin për shtat. Promovonte nepotizmin, proteksionizmin…. Ndjenja për fair play iu kishte venitur. Ai ndiente një siklet të madh të brendshëm, mbase për faktin se dy herë ishte refuzuar për mësimdhënës nga recensentët për lëndën e skulpturës në Fakultetin e Arteve në Prishtinë; ai po shfaqte tashmë veti psikopatike ndaj Fakultetit të Arteve dhe Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, në stilin “ju mua dhëmbin, unë juve kokën”.

Mulliqi tashmë po e promovonte veten narcizoid. Ai kishte humbur sensin (mbase nuk e kishte pasur kurrë) e modestisë, urtësisë, tolerancës, respektit reciprok, komunikimit fisnik, etikës artistike… Në të vërtetë, ai po e kalonte Rubikonin – po shkaktonte grindje dhe përçarje fare të panevojshme. Në një reagim ndaj peticionit të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës, Mulliqi ishte përgjigjur me tërbim të jashtëzakonshëm në “Kohën Ditore” (29 nëntor 2003): “Zoti rektor, 48 “profesorët” tuaj po gënjejnë publikisht”. ǒështë e vërteta, nuk ishin këta të 48-t vetëm profesorë – gjysma e tyre ishin anëtarë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Pra, ishin dy institucionet më relevante të fushës së arteve pamore, të cilat kërkonin dorëheqjen e tij. Ishte ky një reagim i një koke të skuqur, e cila ishte çakorduar tërësisht. Ishte i pafalshëm ky perversion aq banal dhe i padëgjuar ndonjëherë. Ai, madje, i quajti profesorë në thonjëza edhe profesorët nga të cilët kishte mësuar në Fakultetin e Arteve. Përçarja definitive mes tij, në njërën anë, dhe Fakultetit të Arteve dhe Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës në anën tjetër, ishte e pariparueshme. Mulliqi, atëbotë, u tregua se ende nuk kishte arritur stadin intelektual që të kuptonte se ai më nuk kishte të drejtë morale që të qëndronte në postin të cilin e mbante. Ai duhet ta kishte kuptuar domethënien e urtë të aforizmit popullor: “Nëse dy veta të thonë se je i dehur – duhet të mbahesh për shtylle”. Mulliqit, fatkeqësisht as kërkesa e 48 artistëve nuk i mjaftoi të jepte dorëheqjen.

Përvetësues i autorësive të huaja

Ndërkohë, Luan Mulliqi po inkurajohej aq shumë saqë me ambicien e tij të tepruar, përkundër mundësive të kufizuara për eseistikë figurative, na u bë ad hoc “autor” – madje, siç pretendon ai, i dy vëllimeve monografike: “Arti bashkëkohor i Kosovës” (2000) dhe “Kosova Feniks” (2005). Por, dëshmitë vërtetojnë të kundërtën, autorë të vërtetë të vëllimit të parë janë Ismail Kadare, Aleksander Bassin dhe Hivzi Muharremi. Ndërkaq, në mbështjellësin e vëllimit të dytë, Mulliqi vendos emrin e vet si autor, përderisa në impresum (faqe 6) shkruan se autorë të vëllimit janë Ismail Kadare dhe Luan Mulliqi. E vërteta është tërësisht ndryshe – autorë legjitimë të këtij vëllimi janë: Muharremi, Podrimja, Maliqi, Basha, Held, Pashku, Luzha, Ballazhi, Xhafolli, Qendro, Qosja, McClellen, Boshnjaku, Xhaferi, Ruth, Nura, Shoshi, Metaj, Prifti, Ponosheci, Ferrizi, Kondov, Salvaro, Wood, Hado, Brovig, Ikusawa, Shala, Carlo Bo, Bost, Buzhançiq, Maroeviq, Doshi, Muka, Nimani, Jonuzi, Brajshori. Për më keq, Mulliqi shkon edhe më larg: në hapësirat në hyrje të Galerisë së Arteve të Kosovës, ai vendos një objekt të tij tredimensional, që, krahasuar me veprën e skulptorit Mark di Suvero “Are Years What?” (Çfarë do të thonë vitet?) të vitit 1967 – paraqet shëmbëllesë binjake. A kemi të bëjmë këtu me ndikim, koincidencë apo plagjiaturë flagrante? Me mjetet astronomike (rreth 80.000 euro), sa kanë kushtuar këto dy vëllime të panevojshme, do të mund të botoheshin 10 monografi të krijuesve më të shquar kosovarë ose të bliheshin rreth 100 vepra të prodhuara në Kosovë gjatë 10 vjetëve të fundit.

Abuzues skandaloz me veprat e Fondusit të Galerisë

Mund të duket gjithsesi e pabesueshme po t’i tregohej dikujt se një drejtor i një galerie kombëtare, siç ka vepruar Luan Mulliqi, të ketë abuzuar në mënyrë aq të papërgjegjshme, fabuloze e skandaloze, duke i tjetërsuar veprat e Fondusit të Galerisë, të koleksionuara me kujdes mbi 30 vjet dhe të paguara me mjetet e taksapaguesve kosovarë. A mund të veprohej kështu në Muzeun e Luvrit të Parisit, në Galerinë Kombëtare të Uashingtonit apo gjëkundi gjithandej në botën e qytetëruar? A nuk e di Mulliqi se veprat e Fondusit të Galerisë së Arteve të Kosovës, si trashëgimi kulturore, janë nën mbrojtjen e shtetit, mbrohen me ligj dhe çdo abuzim me to është i ndëshkueshëm? Vite me radhë ai u hironohej ministrave me piktura të Fondusit, si dhurata danajsh, për stolisjen e mjediseve ministrore. Këtë shprehi Mulliqi së fundi e kishte aplikuar edhe rishtas – kur ia kishte mësyrë zyrës së ministrit të Kulturës të posaemëruar, z. Beqiri, me dy piktura të tjera të Fondusit të Galerisë. Po të ishte Mulliqi aq bujar, ai do t’u dhuronte ndonjë punë të tij – e jo të abuzonte me veprat e të tjerëve për përfitime personale. Me këto vepra, që qëndrojnë me vite në mjedise të ndotura, me lagështi e rrezikime të tjera – janë krime kulturore, abuzuesi i të cilave mbetet ende i pandëshkuar.

‘Askush nuk është vërtet aq i mjerë dhe i trishtë sesa drejtori që interesohet më shumë për profiteri personale sesa për kauzën e artit’.

Shoqata e Artistëve Figurativë të Kosovës

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›