E Diel, 1 Nëntor 2026

Financat: Opozita, akuza të pabaza për kontratat e përkohshme



Ministria e Financave ka hedhur poshtë akuzat e bëra nga opozita lidhur me punësimin e njerëzve me kontrata të përkohshme. Zëdhënësja e Ministrisë së Financave, Eva Simoni, doli dje para mediave për të hedhur poshtë sajesat më të fundit të opozitës dhe akuzat e pabaza, se qeveria po punëson me kontrata të përkohshme një numër të madh punonjësish, militantë të saj. “Duam të sqarojmë opinionin publik se punonjësit me kontrata të përkohshme, kontraktohen nga të gjithë institucionet buxhetore, me kusht që kohëzgjatja e nevojës për këtë kategori punonjësish të mos jetë gjithëvjetore apo kohëzgjatja e orëve të punës të mos jetë më e madhe se 6 orë në ditë”, - tha Simoni.

Sipas saj, qeveria me propozim të Ministrisë së Financave ka disiplinuar përdorimin e fondit të pagave, duke mënjanuar praktikat joefektive dhe korruptive të qeverisë së mëparshme, në radhë të parë për punonjësit me kontratë të përkohshme, pagesat për orët jashtë orarit, si dhe shpërblimet e pakontrolluara e pa kritere ligjore. Ajo sqaroi se në këtë kuadër nga viti 2006 është ndërmarrë një reformë për modernizimin e sistemit të pagave dhe standardizimin e kontratave të përkohshme e shpërblimeve, sipas një procedure të re që përcaktohet në vendimin nr. 1703 të Këshillit të Ministrave, datë 24.12.2008 “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe të veprimtarive sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”. Sipas këtij vendimi, nuk është më kompetencë e ministrive të linjës dhe institucioneve buxhetore, kontraktimi i punonjësve të përkohshëm, por do të jetë Këshilli i Ministrave që do të përcaktojë numrin e tyre, duke synuar uljen e numrit të punonjësve të kontraktuar në këtë kuadër, si dhe fondet publike që përdoren për këtë qëllim. Si rezultat i këtyre masave të ndërmarra për administrimin më të mirë dhe transparent të fondeve publike në sistemin e pagave, mund t’ju themi se: “ndërkohë që paga mesatare është rritur me 55.25 % dhe ajo minimale me 44 %, fondi i pagave është rritur në këto 3 vjet me vetëm 30 % duke i kursyer buxhetit të shtetit 11 miliardë lekë, si rezultat jo vetëm i uljes së numrit të punonjësve në administratën publike, por dhe i administrimit të mirë dhe uljes së numrit të kontratave të përkohshme dhe shpërblimeve të pakontrolluara. Sikurse sqaruam më sipër, shpifjet e sajuara nga opozita dhe që i beson vetëm ajo, janë tërësisht të pabazuara”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›