Denoncon pedagogu dhe aktivisti: Nga Fieri dhe Elbasani, mbetjet drejt Bushatit me financim nga buxheti i shtetit 2027

Qarku i Fierit dhe ai i Elbasanit kanë shpenzuar miliona euro për inceneratorë që nuk janë vënë në punë ose që, sipas denoncimit, nuk ekzistojnë fare. Ndërkohë, projektbuxheti i shtetit për vitin 2027 parashikon transferta për bashkitë, me qëllim mbulimin e kostove të transportit të mbetjeve drejt landfillit të Bushatit.
Kjo është një nga problematikat e ngritura nga Imeldi Sokoli, pedagog, aktivist i mjedisit dhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, përmes një postimi në rrjetet sociale.
Sipas Sokolit, bashkive të qarqeve Shkodër dhe Lezhë, të cilat aktualisht depozitojnë mbetjet në landfillin e Bushatit, pritet t’u shtohen edhe bashkitë e qarqeve Fier dhe Elbasan. Në këtë mënyrë, rreth një e treta e territorit të Shqipërisë do të mbështetet te i njëjti landfill për depozitimin e mbetjeve.
Sokoli ngre pikëpyetje për investimet e kryera në inceneratorët e Fierit dhe Elbasanit, miliona eurot e shpenzuara dhe përgjegjësinë institucionale për faktin që këto impiante nuk po përmbushin funksionin për të cilin u ndërtuan.
Sponsorizuar
Ai shtron gjithashtu pyetjen nëse bashkitë e qarkut Shkodër kanë kërkuar llogari nga qeveria për ndikimin mjedisor dhe ndotjen që mund të sjellë shtimi i mbetjeve në landfillin e Bushatit. Kritika e tij u drejtohet edhe deputetëve socialistë të zonës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.
Duke iu referuar parimit mjedisor “ndotësi paguan”, Sokoli ironizon se në këtë rast po zbatohet një logjikë tjetër: “ndotësi i heq nga vetja, ia çon dikujt tjetër”.
Ai kritikon heshtjen e përfaqësuesve politikë dhe institucioneve për këtë çështje, duke vënë në pikëpyetje nëse interesi për ruajtjen e posteve po mbizotëron mbi përgjegjësinë ndaj mjedisit dhe qytetarëve.