Depërtimi urithor në nëntokën me terr e myk
Institucionalizimit të akulturimit ndër ne, përveç kulmit që i kishte vënë estrada jonë si përfituese fantastike me stisje antivlerash të rralla në një kohë tepër të gjatë, një kulm të dytë më të lartë ia vunë menjëherë pas luftës së Kosovës edhe institucionet e njëmendta të saj, duke filluar nga Ministria e Kulturës deri tek instancat e tjera të skajshme të kësaj fushe. Në vend që të shmangej sa më shpejt pa lënë ndonjë pasojë tepër të madhe mbrapshtia e këtij fenomeni gërrys antikulturor, ai u përhap më tej si bari i keq, duke u harlisur në të gjitha fushat e krijimtarisë kulturore, artistike e shkencore kudo ku kishte shqiptarë. Nëse regjimi pushtues kundërshqiptar, poende edhe ai diktatorial mbi ta, kishin “arsyet” e veta për të shmangur krijuesit e njëmendtë dhe vlerat që krijonin ata për hesap të vet; pushtetarët e rinj e thelluan edhe më tej këtë hendek, duke e vazhduar punën e të mëparshëmve me anë të një burokracie të verbër e të korruptuar deri në fund.
Pas humbjes së rendit të mbarë të përkrahjes, të mbështetjes dhe të afirmimit të vlerave dhe të krijuesve të mirëfilltë, në radhë të pamposhtur u fut armata e pafund e pseudokrijuesve dhe e atyre që prirje themelore kanë depërtimin urithor nëpër nëntokën me terr e myk të antivlerave, e cila bërllokut të vet pseudokrijues do t`i japë zë dhe do ta paraqesë si reprezent me etiketën e përfaqësimit të identitetit të një kulture e arti kombëtar, duke e nëpërkëmbur atë, fund e krye, më keq e më rëndë se shkelësit e tij nga radha e armiqve tanë shekullorë. Institucionet e pushtetit të ri të lirë dhe vetë asociacionet kulturore-artisitke-shkencore, si në Kosovë ashtu edhe gjetkë në tokat shqiptare deri në mërgatën tonë, në vend se të bënin një ristrukturim thelbësisht cilësor, duke vënë në krye të këtyre angazhimeve njerëz të dëshmuar me përkushtim të vërtetë krijues e kombëtar, ua lanë dyert hapakrah turmave të frustruara të pseudokrijuesve që vërshuan me egërsi të paparë në të gjitha asociacionet botuese, krijuese, artistike, shkencore duke rrëkëllyer gjithçka para vetes për të vënë piedestalë prej akulli për të zënë një vend nën diell!
Në një këso euforie, me një turr të paparë ndonjëherë, kishte mësyrë Zvicrën para katër-pesë vjetësh një turmë e tillë nëpunësish të të gjitha kategorive të Ministrisë së Kulturës e Çështjeve Jorezidente të Kosovës. Afër njëzet kësi nëpunësish me mëditje taksëpaguesish të Kosovës kishin ardhur në Zvicër të bënin organizimin e krijuesve mërgimtarë shqiptarë në shtetin më të pasur e të mirëqenë të botës! Mëtimi i tyre për ta bërë një kësi takimi tradicional, domethënë të përvjetshëm, ishte më shumë se cinik. Po kjo nuk ka qenë e vetmja marshutë turistike në emër të kujdesit për shëndetin e kulturës kombëtare në mërgatën shqiptare. Mërgatës sonë të shkretë nuk i janë ndalur asnjëherë ekspeditat e tilla pseudokombëtare e antikulturore në emër të krijimtarisë e atdhetarisë. Por asaj, në anën tjetër, tepër rrallë, nëse jo kurrë, këtu nuk i është ofruar ndonjë vlerë e njëmendtë e artit dhe kulturës sonë, me të cilën pikësëpari vetë këta njerëz tanë në vend të huaj do të provonin të mësonin se si do të ndjeheshin ata atëherë përkrah njerëzve të tjerë të ndryshëm të botës. Mosdhënia e shansit as për të provuar një ndjenjë kaq të lartë e fisnike që jep shijimi i artit të vërtetë të përkatësisë vjetjake, pjesën më të madhe të këtyre njerëzve e ka ushqyer egërisht me jovlerat e vërshuara gjithkah, prandaj edhe kaq gjatë këta njerëz kanë mbetur me bindjen e patundur se ky që paraqitet nga estrasda bredhacake dhe matrapazët e tjerë shqiptarë është kulmi i asaj që kanë krijuar shqiptarët. Në vijë të kësaj, gjithnjë duke mbajtur parasysh pseudovlerat dhe antivlerat që përhapen gjithandej dhe sidomos në mërgatën tonë për përfitime fantastike financiare, mund të them me siguri të plotë që është shkaku kryesor që ka ndikuar drejtpërdrejt në përçudnimin e shijeve artistike të këtyre njerëzve këtu në një shkallë më të lartë se tek ata në vend. Prandaj nuk është aspak e çudtishme që pikërisht këtu, midis Europës së qytetëruar, të bie aq shpesh të dëgjosh aso muzike që të neverit dhe të vjen të vjellësh…
...