Depistimi dentar, Koçiu: 213 stomatologë në shkolla gati për fëmijët

TIRANË, 10 shtator/ATSH/ Me nisjen e vitit të ri shkollor, 154 kabinete dentare në shkolla janë gati për fëmijët, në kuadër të Programit Kombëtar të Depistimit Dentar.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu në një postim në rrjetet sociale, tha se “213 stomatologë kujdesen çdo ditë për shëndetin e dhëmbëve, duke zbuluar problematikat herët dhe duke promovuar higjienën e rregullt”.
Ana Bello, dentiste pranë shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto” në Tiranë, tha se “ne ofrojmë shërbimin e depistimit kombëtar për shëndetin e gojës duke filluar nga klasa e parë deri në të nëntën”.
“Në shërbimin tonë dentar ne ofrojmë shërbimin parandalues dhe atë mjekues. Shërbimi parandalues konsiston në masat parandaluese si florizimi dhe silanizimi i dhëmbëve. Ndërsa shërbimi mjekues konsiston në mjekimin e dhëmbëve nëse vërejmë raste të cilat janë për t’u referuar tek specialisti si rastet e aparateve dentare ne i referojmë në Klinikën Stomatologjike Universitare”, theksoi Bello.
Bello u shpreh se “këshillat se si nxënësit të kujdesen dhe mënyrën korrekte të larjeve të dhëmbëve i japim edhe nëpër klasa nëpërmjet promocionit dentar, filmave vizatimorë, edukativë dhe posterave”.
Gjatë vitit shkollor 2024-2025, mbi 102 mijë fëmijë kanë përfituar nga Programi Kombëtar i Depistimit Dentar në shkolla, duke marrë jo vetëm kontrollin e nevojshëm, por edhe edukim mbi kujdesin oral.
Programi Kombëtar i Depistimit Dentar ofron kontrolle periodike edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave, si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.
/k.s//r.e//a.f/