Deputetë të Kuvendit marrin pjesë në takimin rajonal për forcimin e integritetit parlamentar

TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Një delegacion i Kuvendit, i përbërë nga deputetët Milva Ekonomi, Antoneta Dhima dhe Kliti Hoti, mori pjesë në Klinikën Rajonale Parlamentare për Antikorrupsionin, zhvilluar më 24–26 shtator në Bečići të Malit të Zi.
Aktiviteti, me temë “Forcimi i integritetit parlamentar në vendet e Ballkanit Perëndimor”, u organizua nga Instituti Demokratik Kombëtar (NDI), në bashkëpunim me Parlamentin e Malit të Zi, dhe mblodhi deputetë e staf parlamentar nga vendet e rajonit.
Takimi shërbeu si një platformë për shkëmbimin e përvojave mbi forcimin e integritetit parlamentar dhe mekanizmave antikorrupsion. Gjatë punimeve u prezantuan përvojat e parlamenteve të Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa diskutimet u përqendruan edhe te sfidat që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Në fokus të programit ishin ushtrime praktike për identifikimin e dobësive të parlamenteve në raport me integritetin, metodologjia e “corruption-proofing” të legjislacionit dhe integrimi i saj në procesin ligjvënës, roli i organeve parlamentare në mbikëqyrjen e kuadrit antikorrupsion, kontrolli post-legjislativ dhe zbatimi i kodeve të etikës parlamentare.
Delegacioni shqiptar prezantoi zhvillimet e fundit në legjislacionin për integritetin dhe antikorrupsionin, institucionet përgjegjëse, planet strategjike, si dhe masat e ndërmarra nga Kuvendi për zbatimin e instrumenteve të mbikëqyrjes post-legjislative (PLS) dhe “corruption-proofing” (CPL).
Deputetja Milva Ekonomi informoi pjesëmarrësit për paketën ligjore të ndërmarrë nga Kuvendi në kuadër të rekomandimeve të GRECO-s, përfshirë ligjin e ri për konfliktin e interesit, ligjin për lobimin dhe dy metodologjitë CPL dhe PLS.
Në cilësinë e kryetares së Komisionit të përhershëm parlamentar për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, Ekonomi u ndal edhe te funksioni i Nënkomisionit parlamentar për auditimin publik dhe kontrollin e zbatimit të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, përmes shqyrtimit të raporteve të auditimit.
Deputetja Antoneta Dhima u përqendrua te Kodi i Sjelljes së Deputetëve dhe sfidat e zbatimit të tij në praktikë. Ajo nënvizoi rëndësinë e rregullave të qarta, të zbatueshme dhe të monitorueshme në mënyrë të njëjtë për të gjithë.
Dhima theksoi gjithashtu nevojën për forcimin e këshillimit konfidencial për deputetët, trajnimeve periodike për konfliktin e interesit dhe etikën, udhëzimeve praktike për raste konkrete, mekanizmave të monitorimit dhe transparencës për mënyrën e trajtimit të shkeljeve të pretenduara.
Ndërsa deputeti Kliti Hoti u ndal te procedurat disiplinore ndaj deputetëve dhe ndikimi i masave të tilla në ushtrimin e mandatit parlamentar. Ai argumentoi se Kodi i Sjelljes duhet të rishikohet periodikisht dhe të përshtatet me veçoritë e ushtrimit të funksionit kushtetues të deputetit.
Sipas Hotit, rregullat duhet të synojnë një ekuilibër ndërmjet përgjegjshmërisë së deputetit, respektimit të standardeve të sjelljes dhe garantimit të ushtrimit efektiv të mandatit parlamentar, duke iu referuar edhe vendimeve përkatëse të Gjykatës Kushtetuese.
Në përfundim të takimit, diskutimet vijuan me shkëmbimin e ideve dhe planeve të parlamenteve të Malit të Zi, Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe me identifikimin e hapave të mëtejshëm për forcimin e bashkëpunimit rajonal në fushën e integritetit parlamentar dhe masave antikorrupsion.
1 nga 5/gj.m/a.f/