E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së braktisin në mes diskutimet e projektligjit të dosjeve

Hapja e dosjeve, opozita nën kompleksin e trashëgimisë kriminale të PPSH-së

TIRANE - E majta ka kundërshtuar dje projektligjin për hapjen e dosjeve të komunizmit. Vendin deklaratave politike të ditës së djeshme, në mbrëmje ia lanë braktisjes së seancës nga deputetët socialist, në momente kur diskutohej dhe votohej projektligji ëpr hpajne e dsojeve të ish-regjimit komunist.
Ndërkohë, ndërsa mësohet se vendimi për braktisjen e Kuvendit gjatë diskutimit të projektligjit të dosjeve, ishte marrë në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, nuk kishin munguar debatet mes deputetëve socialistë në këtë mbledhje.

Qëndrimi
Gjatë paradites së djeshme, Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama akuzoi kryeministrin Sali Berisha se më këtë ligj kërkonte që të godiste sistemin e drejtësisë për të penguar hetimin e disa dosjeve të rëndësishme ku përfshihen zyrtarë të lartë të qeverisë aktuale, ndërsa kërkoi më tepër kohë për diskutimin e kësaj çështjeje.
Sipas kreut të PS-së projektligji për dosjet jo vetëm nuk ka asgjë parimore, po përkundrazi sipas tij është tërësisht “një mekanizëm interesash klanore e korruptive, i cili synohet të ngrihet me dhunën e kartonëve duke shkelur çdo parim kushtetues”.
Si mënyrë e vetme për zvarritjen miratimit të këtij ligji, Edi Rama apeloi ndaj liderit të shumicës që të mos votohej dje ky projektligj pa u diskutuar edhe njëherë me opozitën, grupet e interesit dhe faktorin ndërkombëtar.
Deputetët socialistë kanë mbajtur të njëjtin qëndrim edhe në seancë plenare.
“Keni shpërfillur rekomandimet e Këshillit të Europës në lidhje me hapjen e dosjeve. KE thotë se hakmarrja nuk duhet të jetë qëllimi i këtij procesi dhe aq më pak me qëllime politike, duhet të njihet e drejta e ankimimit. Pse e refuzoni kërkesën tonë për ta bërë ligjin në influencën e KE-së. Kërkoj që të tërhiqni projektin, në rast të kundërt ne nuk mund të bëhemi pjesë e këtij procesi. Do ndjekim të gjitha hapat kushtetuese duke e ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese”, deklaroi kryetarja e grupit parlamentar të PS-së, Valentina Leskaj.
Pas disa replikave të njëpasnjëshme të Valentina Leskajt me kryeministrin Berisha, deputetët e PS-së kanë braktisur punimet  e Kuvendit. 

Vendimi
Vendimi i socialistëve për braktisjen e seancës së mbrëmshme parlamentare, të diskutimit dhe miratimit të hapjes së dosjeve, ishte një vendim politik, i marrë disa orë më parë, mes debateve “pro” dhe “kundër”, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së.
Vendimi u mor rreth mesditës së djeshme, ku gjatë debateve, disa prej deputetëve ishin për qëndrimin e tyre gjatë shqyrtimit të projektligjit, madje ishin “pro” edhe marrjes pjesë në debat.
Burime nga mbledhja e grupit parlamentar të PS-së, bënë të ditur se deputetët Pandeli Majko, Erion Braçe dhe Marko Bello ishin “pro” qëndrimit në seancë dhe pjesëmarrjes në debat për këtë ligj. Të njëjtat burime saktësuan se mendimi i tyre nuk është marrë në konsideratë dhe pjesa tjetër kanë vendosur që të ndiqej strategjia e bojkotit të seancës për tu rikthyer pas një kafe në ambientet rrotull Kuvendit, në vendin e tyre, në momentin kur seanca të miratojë ringritjen e komisionit të Reformës Zgjedhore.
Mendimet e deputetëve të tjerë, kanë synuar te ideja për të mos u përzierë në debat, pasi në këtë mënyrë do të binin në kurthin politik të mazhorancës. Anëtari i PS në komisionin të ligjeve Fatmir Xhafaj tha është shprehur se duhet të tregohet kujdes në debate duke e konsideruar këtë si të vetmen mënyrë që PS të dalë e fituar politikisht. Mësohet se Xhafa ka vazhduar më tej duke u shprehur se debati pas miratimit nga ana e PD të këtij projektligji do të s’postohet mes institucioneve të pavarura dhe lidershipit të PD-së dhe Kryeministrit Sali Berishës. Më tej, ai ka kërkuar unifikim të qëndrimeve të partisë për të dalë të fituar edhe para opinionit publik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›