Deputetët e opozitës bllokojnë foltoren, mbyllet seanca plenare

TIRANË, 28 tetor/ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi pasditen e sotme seancën plenare të radhës, e cila zgjati vetëm 20 minuta, pasi deputetët e Partisë Demokratike me pankarta në duar bllokuan foltoren e Kuvendit.
Nënkryetari i Kuvendit, Blendi Çuçi tha në fillim të seancës se “gjatë kësaj jave në Kuvend janë depozituar 3 projektligje nga Këshilli i Ministrave si dhe projektligji për buxhetin 2025”.
Po ashtu Çuçi njoftoi se me shkresë të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së propozohet që Evis Kushi të caktohet anëtare zëvendësuese e Komitetit Parlamentar të Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE.
Deputetët miratuan në fillim të seancës procesverbalin e seancës plenare të datës 17 tetor.
Në kushtet e një seance të tensionuar plenare nga veprimet penguese të opozitës, deputetët Lindita Buxheli, Desantila Tahiraj, Erjon Braçe dhe Edona Bilali, diskutuan shkurtimisht problematikat e evidentuara nga takimet në zonat e tyre elektorale, lidhur me inputet bujqësore, sistemin shëndetësor, investimet në infrastrukturë, mamografinë falas për gratë, etj. Diskutimet plenare në kuadër të “Javës së Gjelbër” zhvillohen një herë në muaj, në javën e fundit të çdo muaji.Nënkryetari Çuçi tha në përfundim të seancës, se deputetët do të lajmërohen me mjetet publike për mbledhjen e seancës së ardhshme.
Bllokimi i foltores nga deputetët e Partisë Demokratike vjen në vijim të aksionit të tyre për mosbindje civile të deklaruar që nga dënimi me burg i deputetit Ervin Salianji. Para disa seancave, më 30 shtator, ata iu vunë zjarrin karrigeve të Kuvendit pasi i nxorën në oborr, ndërsa në seancat e tjera pati dhe konfrontime fizike mes deputetëve në sallë.
Pas përjashtimit të deputetëve për djegien e karrigeve, deputetët e mbetur të PD në seancë plenare kanë zgjedhur të bllokojnë foltoren me pankarta në duar. Në nisje të seancës, ishin marrë masa sigurie në rast të ndonjë përplasjeje tjetër.
Seanca plenare e Kuvendit, foto: Florian Abazaj 1 nga 11/ k.s/