Deputetet femra, takohen me Jacobson

Kryetarja e GGD-së, Teuta Sahatqija, duke i shprehur mirëseardhje ambasadores Jacobson, e njoftoi atë për punën dhe angazhimet e GGD-së, duke sqaruar se në këtë grup janë të përfshira të gjitha partitë dhe nacionalitetet.
Gjatë këtij takimi Sahatqija foli edhe për objektivat strategjike të GGD -së, si dhe për angazhimet e tyre gjatë trajtimit të ligjeve nga perspektiva gjinore.
Ajo po ashtu tha se GGD-ja ka një bashkëpunim shumë të mirë me NDI-në, USAID-in, si dhe Ambasadën e SHBA-ve në Kosovë.
Për më tepër ajo ka shtuar se ky bashkëpunim ka të bëjë me rritjen e rolit të gruas jo vetëm në nivelin qendror por edhe në atë lokal.
"Ne nuk bëjmë vetëm politikë, por merremi edhe me çështje konkrete për gruan" tha Sahatqija, duke njoftuar më tej ambasadoren lidhur me projektin për blerjen e aparatit për Mamografit Mobil.
Ndërkaq, deputetja Alma Lama ka thënë se do të insistohet që në udhëheqjen e secilit komision parlamentar të ketë gra, kurse deputetja Donika Kadaj foli edhe për nevojën e fuqizimit ekonomik të gruas, duke aplikuar politika favorizuese si krijimin e fondeve strukturale e të tjera.