Ku mbeti koha e humbur

Ka të paktën njëzet vite që lajm i mirë konsiderohet ajo se, ne po arrijmë gjithnjë e më shumë brenda një kohe gjithnjë e më të shkurtër. Ky pohim nuk vlen vetëm për botën e punës, por edhe për të gjitha aspektet e tjera të jetës.
“Përvoja ime me kohën përkufizohet me vetëm një thënie: ajo po më mungon”, ankohet Florian Opitz, në fillim të dokumentarit “Speed” (Shpejtësia).
Dhe vërtetë, kurrë më parë nuk kemi qenë kaq efikas, e as nuk kemi kursyer më tepër kohë – falë teknologjive gjithnjë e më të avancuara. Megjithatë, presioni sa vjen e rritet. Ky paradoks është tema e filmit dokumentar 90-minutësh, nëntitulli i të cilit është “Në kërkim të kohës së humbur”, i cili nga Berlini na shpie në një udhëtim interesant nëpër botë.
Problem i kohës s’është problem individual
Autori i filmit dokumentar hulumtimin e fillon nga hulumtimi i vetvetes. Fundja, imperativi kryesor i viteve të fundit thotë se: ai që nuk ka kohë, fajet i ka vetë, sepse çdo gjë ka të bëjë vetëm me organizimin.
Sido që të jetë, filmi na shpie deri tek njëri prej ekspertëve më të njohur të të ashtuquajturit menaxhim i kohës, Lothar Seiwert. Edhe pse, filmi merret fare pak me deklaratat e tij, si për shembull, me ato: “duhet kushtuar më tepër kohë gjërave të rëndësishme” , ose “fuqia qëndron në qetësi”; për shkak se problemi me kohën nuk është më një problem individual, i cili mund të zgjidhet nëpërmjet një terapie apo përmes këshillave që i ofron ndenjtë libër.
Opitz në film tregon se si punojnë kompanitë konsulente, të cilat ndërmarrjeve të ndryshme ua sqarojnë konceptin e “konkurrencës kohore”. Ai viziton menaxherin e agjencisë Reuters, klientët e së cilës po kërkojnë informacione gjithnjë e më të shpejta. E klient[t nuk janë më vetëm shtypi, radioja apo televizioni, por, në 95 përqind rasteve, edhe vetë industria financiare.
Opitz udhëton nëpër botë, duke kërkuar zgjidhjen. Në Zvicër takon një ish-menaxher të një banke të investimeve , i cili ka braktisur punën e tij plot stres dhe është bëtë bari.
Alternativat e kapitalizmit të përshpejtuar
“Personalisht, nuk do ta pranoja asnjë zgjidhje të ofruar nga protagonistët e filmit, pohon Opitz, i cili, megjithatë, pranon se një rast e ka impresionuar. Filantropi amerikan, Douglas Tompkins.
Opitz e vizitoi atë në Patagonia, një zonë kjo që shtrihet në jug të Argjentinës dhe Kilit.
Në të vërtetë, pasi që shiti të gjitha kompanitë e veta, themeluesi i kompanive moderne The North Face dhe Esprit vendosi të blinte një sipërfaqe gjigante të tokës. Të gjitha paratë, pra, i investoi në një park nacional dhe në bujqësi alternative.
“Kjo për arsye se ai vërejti që paraja nuk ishte pjesë e zgjidhjes, por pjesë e problemit”, tregon Opitz.
“Në qoftë se me këtë film kontribuova që të fillojë një mendim kolektiv për alternativat ndaj kapitalizmit të përshpejtuar – pra, ndaj një sistemi që po ndryshket nga të gjitha anët – atëherë unë, si filmbërës, mendoj se kam arritur shumë”, përfundon Opitz. /dw/