Deputetët mblidhen sërish sot në seancë plenare, përpjekja e 22-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të zhvillojë këtë të martë (27 maj) seancën e 22-të në përpjekje për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.
Deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen në orën 11:00 në seancë plenare, ndërsa pritet që të arrihet dakordësia për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Disa ditë më parë, kryesuesi i seancës plenare, Avni Dehari u kërkoi të gjitha palëve politike t’i dërgonin emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryeparlamentarit, por asnjë prej subjekteve nuk ka dhënë propozimet.
Në seancën e 25 majit, vetëm 53 votuan pro krijimit të një komisioni për votim të fshehtë, një votë ishte kundër, ndërsa pjesa tjetër nuk mori pjesë në votim. PDK, LDK, AAK dhe NISMA nuk propozuan asnjë anëtar për këtë komision, duke bllokuar sërish procesin
Ngërçi politik në Kosovë vijon prej më shumë se tre muajsh, ku subjektet politike nuk gjejnë konsensusin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Vetëvendosje vijon t’i qëndrojë kandidaturës Albulena Haxhiu, emër që kundërshtohet nga opozita.
/rtsh.al/