Autoambulancë e re për Spitalin e Lushnjës, dhurata nga Norvegjia për Urgjencën përmirëson shërbimin

Spitalit të Lushnjës i është dhuruar një autoambulancë nga Norvegjia, një mjet i domosdoshëm për repartin e urgjencës, që do të përdoret për dërgimin e pacientëve drejt qendrave terciare. Aktualisht spitali ka 7 ambulanca, të gjitha të dhuruara ndër vite, por shërbimi ka nevojë për mjete shtesë, për të cilat drejtoria ka bërë kërkesa në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Dua të falënderoi donatorët norvegjez që me ndërmjetësinë e doktor Erjon Sylarit na ofruan një autoambulancë, një shërbim plus për urgjencën e spitalit Lushnje”, u shpreh shefe e shërbimit të urgjencës, Anila Karavariqi.
Në ceremoninë e pranimit, drejtor Roland Ziu theksoi rëndësinë e kësaj dhurate për pacientët dhe shërbimin emergjent.
“Ky mjet pavarësisht se është i përdorur, ndihmon në funksionalitetin e shërbimit të urgjencës”, tha Roland Ziu, drejtor i Spitalit të Lushnjës.
Autoambulanca u soll direkt në spital nga një çift norvegjez, pas një kërkese përmes një shoqate kishtare. Deputetja e Lushnjës, Lindita Buxheli, anëtare e Komisionit të Shëndetësisë, falënderoi për gatishmërinë dhe ndihmën.
“Është një kërkesë e bërë para një viti e gjysmë që unë i bëra kësaj shoqate, ajo bëri të mundur bashkëpunimin dhe sjelljen nëpërmjet çiftit të huaj, norvegjez në spitalin e Lushnjës”, tha deputetja e PS-së, Lindita Buxheli,
Në ceremoni mori pjesë edhe pastor Erjon Sylari nga Kisha “Fjala e Jetës”, i cili kryen edhe detyrën e mjekut.
“Kemi arritur të sjellim ambulancën nga Norvegjia, për të ndihmuar spitalin e Lushnjës për nevojat që ai ka. Kjo është ndihmë që ne bëjmë nga Kisha “Ungjillorët e Jetës” në qytetin e Lushnjës dhe do vazhdojmë akoma për të ndihmuar këtë spital”, u shpreh pastori dhe mjeku, Erjon Sylari.
Spitali i Lushnjës shërben rreth 200 mijë banorë të zonës dhe së shpejti do të nisë rikonstruksioni i godinës së tij.
/rtsh.al/