E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputetët tanë, më të privilegjuarit në Evropë

Ligjvënësit shqiptarë janë më të privilegjuar për sa i përket trajtimit ekonomik, krahasuar me homologët e tyre të vendeve të Evropës apo Lindjes. Jehona e paralajmërimit të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli, për shkurtim të shpenzimeve të deputetëve, duket se u shua.

Pagat

Nëse shohim pagën e një deputeti shqiptar, ajo është rreth 1000 mijë euro në muaj. Në klasifikim, paga e deputetit vjen menjëherë pas asaj të ministrit, ndërsa paga e Kryetarit të Kuvendit pas pagës së Presidentit të Republikës. Ajo e zv/kryetarëve barazohet me pagën e zv/kryeministrit.

Shpërblimet

Por paga e një deputeti nuk mbetet kaq. Deputeti gëzon të drejtën e shpërblimit për pjesëmarrje në komisione, si drejtues i komisionit apo si drejtues i grupit parlamentar. Nëse një deputet merr pjesë në komisione hetimore, që janë të shumta në historinë e Kuvendit të Shqipërisë dhe zgjasin gjithmonë më shumë nga sa është përcaktuar në ligj, paguhet ekstra. Për pjesëmarrje në mbledhjet e komisioneve, deputeti paguhet 2000 lekë. Nëse mban postin e kryetarit ose nënkryetarit të komisionit, paguhet 2500 mijë lekë. Përfitimet ekonomike të një deputeti shqiptar, nuk mbyllen vetëm me pagat dhe shpërblimet.

Telefonat dhe makinat

Të gjithë deputetët janë të pajisur me numra telefoni me kontratë. Kuota e bisedave telefonike që u rimbursohen nga shtetit arrin në 140 euro në muaj. Të gjithëve u garantohet autoveturë, shofer, shërbim teknik për makinën dhe karburant.

Nëse i krahason me statusin që kanë ligjvënësit e vendeve fqinje, apo shteteve të tjera, vëren se ligjvënësit shqiptarë janë më të privilegjuar. Në Kosovë, makina zyrtare kanë vetëm Kryetari i Kuvendit dhe 6 anëtarët e Kryesisë. Deputetët nuk kanë automjete të vëna në dispozicion nga shteti. Ndërsa Parlamenti i Maqedonisë u jep deputetëve vetëm 60 euro në muaj për të kompensuar bisedat e tyre telefonike me celular dhe nuk u siguron automjete në dispozicion. Në Serbi, deputetët përdorin automjetet e tyre private, ndërsa Parlamenti u rimburson vetëm 15% të shpenzimeve për karburantin. Por ka një park automjetesh, që mbulon transportin për ministritë dhe Parlamentin. Të drejtën e përdorimit pa kufizim të këtyre automjeteve nuk e kanë të gjithë deputetët, por vetëm kreu i Parlamentit.

Shpenzimet e Parlamentit shqiptar vetëm për transportin e një deputeti arrijnë në 1000 euro në muaj. Ne kemi shpenzime për ligjvënësit më shumë nga sa kanë vendet e zhvilluara. Shtete të tilla, si: Finlanda, Gjermania, Italia, Norvegjia, Franca nuk u japin makina dhe shoferë në dispozicion deputetëve. Këto vende e kanë zgjidhur këtë problem, duke krijuar parqe automjetesh, që u vendosin në dispozicion deputetëve makina, vetëm në raste pune.

Në Itali, Parlamenti nuk u vë në dispozicion deputetëve automjete për të lëvizur. Në Francë, deputetëve u sigurohet transporti me tren në klasin e parë. Për çështje legjislative, deputetët mund të përdorin makinat e parkut. Finlanda u ofron deputetëve të saj udhëtime falas me tren, ndërsa për raste të veçanta, vetëm brenda zonës së Helsinkit, mund të përdorin taksitë. Gjermania e ka më të kufizuar përdorimin e makinave të parkut. Ky shtet ka një park automjetesh që mund t‘i përdorin vetëm brenda Berlinit. Siç duket, meqë transporti hekurudhor në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar, deputetëve tanë u kanë lënë nga një makinë në dispozicion, me shofer dhe karburant të paguar nga shteti.

Të gjitha këto përfitime janë të përcaktuara në ligjin "Për statusin e deputetit", të cilit i janë bërë ndryshime të vogla përmirësuese 6 vjet më parë. Në atë seancë parlamentare, deputetët miratuan pa kundërshtime përfitimet e tyre nga statusi që u ka dhënë populli.

Kuvend

Komisionet e stërzgjatura hetimore

Kostoja e një deputeti nuk mbyllet vetëm me pagën, dietat, kuotën e celularit, shpenzimet e makinës, shoferit etj. Çdo vit shohim që krijohen komisione parlamentare hetimore, që, ose nxjerrin nga dy përfundime, ose mbyllen pa dalë me ndonjë konkluzion. Ndërkohë që kostoja e tyre financiare është shumë e lartë. Gjatë vitit të kaluar u ngritën disa komisione që kryen hetime parlamentare:

1. Komisioni hetimor për privatizimin e Albtelekomit;

2. Komisioni hetimor për hetimin e shpenzimeve të buxhetit të shtetit në dispozicion të ministrive, institucioneve kryesore dhe ndërmarrjeve publike nëpërmjet prokurimeve publike për periudhën 2001 e në vijim;

3. Komisioni hetimor për verifikimin e zbatimit të ligjit, për dhënien me koncesion të objekteve publike me pronësi shtetërore, si dhe kushtet e dhënies së këtyre kontratave apo edhe procedura të tjera që lidhen me to;

4. Komisioni hetimor për rrugën Durrës-Morinë.

Këto komisione, të ngritura me aq bujë pa mbaruar mirë mandatin, kanë humbur shkëlqimin e tyre. Në këtë mënyrë ka vazhduar tradita e komisioneve hetimore të ngritura në vend, që përveç zhurmës që kanë krijuar, nuk i kanë shërbyer asnjëherë qëllimit për të cilin janë ngritur. Asnjë prej tyre nuk përfundoi punën e ngarkuar brenda afatit tremujor. Gjatë 2007-ës asnjë prej tyre nuk paraqiti një raport. Përjashtim vetëm komisioni i ngritur për ish-prokurorin e Përgjithshëm, i cili përfundoi punën në një kohë rekord.

Prej vitit 1991 e deri më sot, Kuvendi i Shqipërisë ka ngritur me dhjetëra komisione hetimore, që në pjesën më të madhe të rasteve ose kanë përfunduar me dy raporte që kundërshtojnë njëri-tjetrin ose kanë dështuar dhe kanë qenë vetëm një "show". Nëse bën një llogari të thjeshtë nxjerr koston e këtyre komisioneve hetimore.

Gjatë vitit të kaluar, kostoja minimale për funksionimin e këtyre komisioneve ishte rreth tre milionë lekë. Vetëm paga e ekspertëve (4 ekspertë) është 2,4 milionë lekë. Ekspertët paguhen rreth 40% të pagës së një këshilltari në komision. Këtu nuk përfshihet as kostoja e bazës materiale dhe as afatet shtesë që miraton Kuvendi për shtyrjen e hetimeve.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›