E Diel, 1 Nëntor 2026

Manjani: Pse duheshin bërë disa ndryshime kushtetuese

Kryetari i Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, ka shpjeguar arsyet pse duheshin bërë ndryshimet në Kushtetutë. "Nuk mundet që shtetit të mbajë frymën apo të ndalojë së funksionuari, sepse një grupim politik ka interes të ditës shpërndarjen e Kuvendit", thotë ai, gjatë një interviste për "Shqip".

Ndryshimet që iu bënë Kushtetutës ngjallën diskutime të forta, a mund të na shpjegoni se çfarë i bën të debatueshme këto ndryshime?

Ndryshimet në Kushtetutë duheshin bërë. Ato ishin të pashmangshme. Ndryshimi i sistemit zgjedhor u bë imperativ, sepse sjellja e gjithë klasës politike të dalë nga zgjedhjet e Dushkut është bërë e padurueshme. Në Partinë Socialiste kemi debatuar gjatë për nevojën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, jo thjesht si skemë teknike, por si mundësi për të korrektuar defektet që prodhuan një sistem të kalbur politik. Cilado që të ishte zgjidhja teknike për ndryshimin e sistemit, do të kishim patjetër ndryshime në Kushtetutë, sepse sistemi zgjedhor është pjesë e saj (Kushtetutës).

Përveç sistemit, u ndryshua edhe zgjedhja e Presidentit, si dhe u hoq KQZ nga Kushtetuta. Këto janë çështje praktikisht të kontestuara nga LSI dhe disa parti të tjera?

Po, është e vërtetë që bashkë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, u bënë edhe disa të tjera, dy prej të cilave janë zgjedhja e Presidentit të Republikës dhe heqja e KQZ nga Kushtetuta. Sa i takon mënyrës së zgjedhjes së Presidentit, mendoj se qëllimi ka qenë të ndahej moszgjedhja e Presidentit me mandatin e Kuvendit. Kuvendi nuk mund të ndërpritet, sepse nuk zgjidhet Presidenti i Republikës. Kjo është një qasje logjike që i shkon për shkak funksionimit normal të shtetit. Nuk mundet që shtetit të mbajë frymën apo të ndalojë së funksionuari, sepse një grupim politik ka interes të ditës shpërndarjen e Kuvendit. Ky është një artific që ka funksionuar dy herë, por mos harroni që "Dushku", mirë apo keq, prodhoi mazhoranca të mjaftueshme. Tani që "Dushku" ra duhej bërë edhe ky ndryshim, sepse ndryshe shteti (Republika) rrezikohej vërtet. Mund t‘u garantoj me bindje se formula e re e propozuar nuk është më e mira, por është demokratike, ashtu si në Gjermani e Itali. Kushtetuta nuk rregullon dot budallallëqet politike. Ajo, mbi të gjitha, siguron funksionimin e institucioneve.

Sa i takon çështjes së KQZ-së, mund të them se ky institucion nuk ka qenë për asnjë çast të jetës së tij në përputhje me ato nene kushtetuese që u shfuqizuan. Koha tregoi se KQZ asnjëherë nuk u shpolitizua, madje kjo e fundit ishte më e egra nga kjo pikëpamje. Në këto kushte, mendoj se është në të mirë të Republikës që, Kushtetuta të reflektojë këtë mendësi dhe jo ta anashkalojë atë, sepse kjo e fundit quhet shkelje.

Ka pasur vërejte për çështjen e mocioneve të besimit dhe mosbesimit, që edhe ata u ndryshuan. Ju ç‘mendoni?

Nga sistemi i ri zgjedhor, shqiptarët do të zgjedhin një program, një ekip dhe një lider. Kush i fiton zgjedhjet duhet të qeverisë. Nëse nuk qeveris, duhet t‘i hapë rrugë një ekipi, programi dhe lideri tjetër. Deri më sot, kjo gjë bëhej në Kuvend me aleanca fluide. Pra, pavarësisht se shqiptarët votonin një lider, ai zëvendësohej në pazaret e deputetëve dhe partive pa bukë.

Ndryshimet e bëra synojnë që populli të vendosë drejtpërdrejt kur bien mazhorancat që ato kanë votuar. Nuk mund të vazhdojmë të ecim me vakume në qeveri, sepse ministrat janë më të mbrojtur nga deputetët dhe aleancat fluide, sesa edhe vetë Kryeministri. Qeveria nuk mund të ketë vakume, sepse tregon që nuk mund të qeverisë. Edhe qeveria e sotme ka një vakum kushtetues, i mungon zv/kryeministri, apo jo?

Ka pasur vërejtje për procesin që i prodhoi këto ndryshime...

Është mirë për demokracinë e një vendi të kërkohet proces. Nga kjo pikëpamje, ne kemi ende shumë nevojë për rregulla të forta që garantojnë proces legjislativ të drejtë dhe të hapur. Mirëpo, për fatin e keq, kritikat për mungesën e procesit vijnë nga parti që s‘e çajnë kokën për procesin, po për interesat e tyre të vogla. Kështu, p.sh., kur vitin e kaluar u bënë ndryshime në Kushtetutë, për t‘i dhënë një anëtar Metës e Ndokës në KQZ, asnjëri nuk bëri komente për procesin. Tani që nuk u intereson sistemi i ri zgjedhor, thonë e ç‘nuk thonë, a thua se po u dhimbset kombi dhe republika. Hipokrizi më të madhe se kjo nuk më kanë zënë sytë ndonjëherë.

Por zoti Meta, në letrën e tij drejtuar Ramës, insiston për një referendum kushtetues. Ǒmendoni për këtë?

Së pari, këto gjëra nuk zgjidhen as me letra e as me ultimatume. Letra e zotit Meta ishte një hartim i mirë, por jashtë teme. Zoti Meta ndodhet në panik në realitetin e ri politik, por kjo nuk e justifikon gjithë këtë mllef që ai po shfaq. Ai nuk mund të vazhdojë të bëjë "burrin e mirë" në kurriz të të tjerëve. Ai është po aq përgjegjës sa e gjithë politika e derisotme për shkatërrimin e Kushtetutës dhe të shtetit. Se, bie fjala, ne nuk i thamë gjë atij kur na bënte karshillëk me Berishën në zyrat e Kryeministrisë para dy vjetësh. Zoti Meta duhet të marrë përgjegjësinë e shkelësit të parë të kësaj Kushtetute, kur bashkoi votat me Berishën dhe shkarkuan Prokurorin e Përgjithshëm, Rakipi, vetëm pse gërmoi diçka më thellë se ç‘duhej. Ai është autori i parë i aleancave të pamoralshme fluide në politikën shqiptare të tranzicionit, aleanca që shkatërruan institucionet kushtetuese vetëm për shkaqe personale. Kështu që hipokrizia duhet ta ketë një fund.

Sa i takon referendumit, ai tashmë ka rënë si opsion, që ditën kur 117 deputetë votuan ndryshimet në Kushtetutë. Nuk legjitimohen më deputetë që votojnë pro ndryshimit një herë e të dalin kundër pak ditë më vonë. Nuk do të isha as kundër referendumit, sikur kjo të ishte e mundur. Madje, po të kisha mundësi do t‘i kisha votuar këto amendamente direkt në referendum, se nuk mund të trembet shumica e popullit nga kërcënimet e një partie të vogël, madje as nga të gjitha të voglat e marra së bashku.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›