Deputeti gjerman: Ushqimet me mish kali t’i hanë të varfërit

Ndërkohë që skandali i mishit të kalit është përhapur në thuajse çdo vend të botës, deputeti gjerman i Bashkimit Demokrat Kristian, Harntuik Fisher sugjeron që mishi i kalit dhe produktet e tij t’iu shpërndahen të varfërve.
Për të dhënë një shembull se ky mish nuk është i rrezikshëm, deputeti konsumoi në prani të kamerës një sasi ushqimi me mish kali, një ditë para se ai të tërhiqej nga supermarketet. Fisher vërejti ndërsa hante ushqimin, se nuk vuri re asnjë ndryshim në shijen e tij.
Kjo pamje është shpërndarë në publik nga ministri i Zhvillimit, Dirk Nipmel, i cili tha se mbi 800 milionë njerëz në mbarë botën janë të uritur duke shtuar se edhe në Gjermani ka njerëz të tillë. “Nuk mund ta hedhim poshtë një vakt të mirë”, theksoi ministri.
Megjithatë ministri gjerman i Punëve Sociale kundërshtoi duke thënë se ideja ishte absurde. Sipas tij, çdo i varfër apo i pasur ka të drejtë të dijë se çfarë është duke ngrënë. Gjithashtu zëdhënësi i Ministrisë së Konsumit tha se ushqimet e veçanta nuk mund të shpërndahen për çështje ligjore./Indeksonline/