E Diel, 1 Nëntor 2026

Deputeti i PAD-së Pirro Lutaj kalon te PS-ja. Ceka: Do të krijojnë polin e tretë

Partia Aleanca Demokratike pritet të humbasë deputetin e saj në Kuvend. Burime nga selia rozë sqarojnë se Pirro Lutaj ka vendosur të kalojë te partia më e madhe e opozitës. Duket se ai ka qenë i pakënaqur nga qëndrimet dhe pozicionimet e PAD-së së Neritan Cekës. Sakaq, ky i fundit, dje në publik, hodhi idenë e krijimit të polit të tretë.

Rrjedhja

Deputeti i PAD-së mësohet të ketë planifikuar një udhëtim për në Britaninë e Madhe dhe pas kthimit do të deklarojë publikisht kalimin te Partia Socialiste. Kohët e fundit ishin vënë re publikisht pakënaqësi dhe krisje në marrëdhëniet mes tij dhe presidentit të partisë Neritan Ceka. Që në kohën e zgjedhjes së Presidentit, Lutaj deklaronte se refuzon të marrë pjesë në votim, duke respektuar vendimin politik të tryezës së partive të opozitës. Më tutje, ai kritikoi ashpër pozicionimin e ri politik të Lëvizjes Socialiste për Integrim, duke nënvizuar se lëvizjet politike të Ilir Metës bëhen vetëm për qëllime karrieriste. Aktualisht grupi parlamentar socialist ka fituar edhe një deputet nga Partia Socialdemokrate e Skënder Gjinushit. Ligjvënësi Pilo Kërri ka kohë që mbledhjet e grupit i bën bashkë me socialistët, duke u shkëputur de fakto nga grupi parlamentar i socialdemokratëve. Këto lëvizje vijnë në një moment kur socialistëve sapo iu largua deputeti Petro Koçi.

Deklarimi

Presidenti i aleancistëve, Neritan Ceka, hodhi publikisht dje idenë e krijimit të polit të tretë. Sipas tij ka një vullnet të partive të vogla për t‘u organizuar kundër dy forcave të mëdha, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Ceka siguroi se ai do t‘i bashkëngjitet lëvizjes së nisur nga Lëvizja Socialiste për Integrim për të kundërshtuar ndryshimet në Kushtetutë. "Mendojmë se është koha e një sensibilizimi publik në Shqipëri në momentin që është prekur Kushtetuta në ato nene që përjashtojnë vullnetin popullor", theksoi Ceka. Ai shtoi se ndryshimet e fundit në politikë detyrojnë popullin të votojë dy partitë e mëdha politike, pa i dhënë asnjë të drejtë të seleksionojnë të ardhmen e partive të vogla. "Këto ndryshime krijojnë një pushtet të jashtëzakonshëm të Kryeministrit, pa i dhënë asnjë pushtet Presidentit të Republikës, si pika kyçe e balancave të pushteteve dhe kontrolleve të pushteteve në Kushtetutë, dhe ulin autoritetin e deputetëve, duke i kthyer ata në nëpunës të partive politike apo të shefave të tyre", nënvizoi Ceka. Ai refuzoi mundësinë që të ketë një bashkëpunim me Partinë Socialiste në të ardhmen. "Partia që ai drejton nuk ka qenë dhe nuk mendon se do të jetë ndonjëherë pjesë e koalicionit me Partinë Socialiste", u shpreh Ceka.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›