E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas të majtës, edhe aleatët e djathtë kërkojnë Federatë

Partitë e vogla lëshojnë mesazhin e krijimit të një federate të djathtë. "Ideja e një bashkimi të së djathtës bazuar mbi ide të qëndrueshme politike dhe në vlera, është e domosdoshme", u shpreh kreu i PR-së, Fatmir Mediu. Sipas tij, me ndërhyrjet që priten të bëhen në Kodin Zgjedhor duhen përcaktuar edhe procedurat që duhet të ndiqen për listat e mbyllura. Krijimi i kësaj federate, shihet nga partitë e vogla të djathta si një mundësi për të mos qenë jashtë Kuvendit në zgjedhjet e ardhshme të 2009-ës. "Kjo federatë duhet të krijohet si rezultat i kuptimit të përbashkët të të gjithë përfaqësuesve të politikës të së djathtës dhe si rezultat i kuptimit të tyre, për të angazhuar edhe autoritete të reja në jetën politike të së djathtës", u shpreh kreu i PR-së. Idenë e krijimit të saj e ka mbështetur edhe Partia Demokrate Reformatore. Nënkryetari i Partisë Demokrate e Re, Tritan Shehu, konfirmoi të enjten se krerët e partive të koalicionit të djathtë janë shprehur "pro" funksionimit të këtij koalicioni edhe për zgjedhjet parlamentare të vitit 2009. Sipas Shehut, "një marrëveshje me shkrim mes krerëve të partive të djathta për këtë çështje do të bëhet në një periudhë të dytë kohore, kur të kristalizohet vullneti i çdo force të koalicionit mbi të ardhmen dhe mënyrën e bashkëpunimit". Duke theksuar domosdoshmërinë e ruajtjes dhe forcimit të koalicionit të djathtë, Shehu u shpreh se duhet të gjenden format për ta bërë këtë koalicion akoma më efektiv, në mënyrë që në zgjedhjet e ardhshme, koalicioni i qendrës së djathtë të jetë fitues. "Ruajtja dhe forcimi i koalicionit për zgjedhjet e ardhshme është e vetmja mënyrë dhe garanci për të arritur fitoren e qendrës së djathtë", tha Shehu. I pyetur në lidhje me propozimin e PR-së për krijimin e një federate të djathtë, Shehu u shpreh se "e rëndësishme është dëshira për të forcuar koalicionin, pastaj deri në çfarë elementesh dhe si do të përcaktohen format e bashkëpunimit të koalicionit, kjo lidhet me propozimet e çdo partie brenda këtij koalicioni". Sipas tij, "mund të ketë zgjidhje dhe formula të ndryshme të këtyre forcave brenda koalicionit. Ne, si PDR, mendojmë se absolutisht duhet të gjenden format për ta bërë këtë koalicion më të afërt dhe më racional në punën e tij", tha Shehu. Kryeministri Sali Berisha u ka premtuar aleatëve se do të rregullojë disa çështje në Kodin Zgjedhor, duke iu ofruar krerëve të partive aleate llogaritje të votave në shkallë kombëtare. Pakti i propozuar nga Kryeministri Berisha pak minuta përpara votimit në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese ka pasur si pikën kyç faktin që emrat e krerëve të partive aleate të përsëriten në më shumë se dy lista në zona të ndryshme. Pas takimit me Berishën dhe pasi kanë miratuar me shumicë votash në Kuvend ndryshimet në Kushtetutë, aleatët vazhdojnë të jenë në konfuzitet sesi do të zhvillohen ngjarjet në ditët në vazhdim. Aleatët e kanë të vështirë të harrojnë faktin se ishte Partia Demokratike ajo që i spostoi dhe i la jashtë loje lidhur me reformën zgjedhore, duke bashkëpunuar me rivalin e saj më të egër, Partinë Socialiste.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›