Deputetja britanike: Serbia kontrabandon armë me ambulanca në kishat ortodokse në Kosovë

Deputetja e Parlamentit Britanik dhe kryetarja e Komisionit për Punët e Jashtme, Alicia Kearns ka deklaruar se qeveria britanike ka informacione lidhur me kontrabandën e armëve me ambulanca nga Serbia, në kishat ortodokse në Kosovë. Mediat në Kosovë, raportojnë se Kearns u shpreh se kjo është dhe një prej arsyeve se përse gjendja e sigurisë është e rëndë.
Kearns kërkoi një frenim të eksportit në Serbi, ndërsa i bëri thirrje qeverisë që të sqarojë qëndrimin e saj se Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë sovranitetit territorial dhe demokracisë së Kosovës.
“Kjo është arsyeja pse gjendja e sigurisë është kaq e rëndë. Për një kohë të gjatë nuk kemi arritur t’i nxjerrim në pah milicitë e armatosura serbe që veprojnë në veri të Kosovës. Qeveria është e vetëdijshme, nga ushtarët që sapo janë kthyer nga shërbimi në KFOR, se ka armë që kontrabandohen përtej kufirit nga Serbia në kishat ortodokse me ambulanca. Kur trupat tona bëhen të vetëdijshme për këtë dhe përpiqen të marrin leje për të shkuar dhe për t’i marrë ato, dhënia e lejeve zgjatë shumë. Në momentin që ata marrin leje ambulanca tashmë ka shkuar në kishë dhe ka nxjerrë përsëri të gjitha armët. Do të prek shkurtimisht politikat tona të eksportit ndaj Serbisë. Unë jam shumë e shqetësuar për faktin se ne po i shesim municione të vogla Serbisë. Duke qenë se policia kundër terrorizmit atje ka kryer sulme dhe ka rrëmbyer tre policë kosovarë, si e dimë ne se asgjë që i kemi shitur Serbisë nuk përdoret në atë kontekst? Unë kërkoj që t’i vihet një fre të gjitha shitjeve e eksportit në Serbi. I bëj thirrje Qeverisë që ta bëjë të qartë se Mbretëria e Bashkuar qëndron pranë sovranitetit territorial dhe demokracisë së Kosovës. Për ta bërë këtë, ne duhet të zgjerojmë mandatin e KFOR-it për të siguruar një qasje më proaktive për të luftuar kontrabandën e armëve dhe milicitë në veri të Kosovës. Ne duhet të sigurojmë drejtësi dhe të ndërmarrim veprimet e nevojshme për të operuar një politikë kuptimplote të diplomacisë parandaluese”, ka deklaruar Kearns.
Kjo e fundit është shprehur më tej se ndonëse Kosovës i është kërkuar që të ndjekë rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian dhe në NATO, ajo po ndëshkohet, teksa shtoi se nuk po ndodh e njëjta gjë me Serbinë.
Ajo theksoi se ajo që po ndodh aktualisht në Kosovë është rezultat i ndërhyrjes së jashtme të Beogradit në zgjedhjet e brendshme të Kosovës, pasi Beogradi u tha serbëve të Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhje.
/rtsh.al/