Deputetja e PD, Bakiu: Bashkimi i demokratëve fillon nga dorëheqja e Bashës

Deputetja e PD, Merita Bakiu, duket se është deputetja e radhës, që kërkon dorëheqjen e kryetarit të PD, Lulzim Basha. Zonja Bakiu, e zgjedhur deputete e PD-së në Krujë, i bën apel Bashës që të japë dorëheqjen, duke e bërë atë përgjegjës për gjendjen e partisë dhe humbjen në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit.
“Ndodhemi në një situatë të vështirë, ndofta më keq se vitin 1997, për arsye se përveç humbjes së tmerrshme, kemi edhe një PD të përçarë. Në këtë moment, po nuk morëm përgjegjësitë, do të jemi edhe dëshmitarë të shkatërrimit përfundimtar. Nuk mund të fshihemi më pas siglës. Anëtarësia, dhe për më tepër votat popullore, na treguan realitetin. Përgjegjësia fillon së pari tek ju kryetar e më poshtë. PD shpëton duke u bashkuar dhe ky bashkim fillon me dorëheqjen tuaj dhe çuarjen në zgjedhje të reja brenda PD, ku bëjnë pjesë edhe anëtarët, miqtë e bashkëpunëtorët që sot i janë bashkuar foltores. Nuk bëhet fjalë për të gjetur fajtorë, por për të marrë përgjegjësi e për të bërë zgjidhje. Ja kemi borxh demokrateve bashkimin”, deklaron deputetja, Bakiu.