Kandidati i PD për kryebashkiak në Rrogozhinë, replikon me deputetët: Erdhët vetëm për të bërë një foto dhe ikët

Kandidati i PD për kryebashkiak në Rrogozhinë në zgjedhjet e pjesshme vendore, gjatë mbjedhjes së Kolegjit të Kryetarëve, ka shigjetuar deputetët e deleguar në këtë zonë, pasi, sipas tij, disa erdhën vetëm për të bërë foto, dhe nuk kontribuan në fushatë. Akuzat janë bërë nga Ferdinand Saraçi, i cili ishte kandidati i PD për bashkinë Rrogozhinë.
Saraçi nënvizoi se PS dhe “Foltorja” u bashkuan, ndërsa pretendon se pati shitblerje të votës gjatë procesit zgjedhor. Sipas tij, Basha duhet tu kërkojë llogari deputetëve, pasi nuk shkohet në fushatë vetëm për foto.
“Kishim përballë edhe qeverinë edhe Foltoren. PS e Foltorja patën të deleguar që ndanin para. Ju më dërguat disa deputetë, por vetëm Dash Sula ka qenë në krah. Pati shitblerje të votës. Mbaj përgjegjësi vetë, por duhet të jetë edhe përgjegjësi e deputetëve që ishin. Nuk vihet në fushatë për foto“, u shpreh Saraçi.
Frrokaj: Nuk ka ndodhur që në zgjedhjet e pjesshme të fitojë opozita
Fran Frrokaj, nënkryetar i PD në Lezhë, është shprehur se nuk ka ndodhur që në zgjedhjet e pjesshme të fitojë opozita. Frrokaj, në vijim të replikave me deputetët, u shpreh se ata nuk duhet të shkojnë të veshur me “Versace”.
“Falenderoj 6 kandidatët. Nga 6 bashki 5 kanë qenë të majta. Nuk ka ndodhur që në zgjedhje të pjesshme të fitojë opozita. Mos të shkojnë deputetët me “Versace”, por të shkojnë për të punuar. Duhet të kthjellohemi e të gjykojmë”,-tha Frrokaj.