E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi më i madh

Sir Alex Ferguson drejton Manchester Unitedin nga viti 1986, por thotë se kurrë nuk ka përjetuar një derbi më të rëndësishëm të qytetit sa ky që do të zhvillohet të hënën në Itihad Stadium. Tri xhiro para fundit, United viziton Manchester Cityn, që në rast të fitores do të dalë në krye të renditjes në Premierligë. Por, Roberto Mancini favorizon kampionin në fuqi.

Menaxheri i Manchester Unitedit, Sir Alex Ferguson, ka thënë se ndeshja e ardhshme me rivalin për titull në Premierligë, Manchester Cityn do të jetë derbi më i rëndësishëm në karrierën e tij.

United hyn në përballje pas barazimit 4-4 në shtëpi me Evertonin në Old Trafford të dielën dhe tri pikë epërsi në krye të tabelës ndaj Cityt, duke krijuar atë që pritet të jetë një luftë jashtëzakonisht interesante për titull tri xhiro para fundit.

Disa orë pasi dështoi të ruajë epërsisë 3-1 dhe 4-2, skuadra e Fergusonit e përcolli rivalin e qytetit City duke ngushtuar avantazhin e tyre në krye të tabelës me fitore 2-0 në Wolves, që i largoi ata nga Premierligë.

Dhe, nëse City - që më herët gjatë këtij sezoni shkatërroi Unitedin 6-1 para se të humb 3-2 në shtëpi në përballjen e FA Cup - fiton në Eastlands të hënën, atëherë do të dalë në krye të renditjes në bazë të golaverazhit më të mirë dy xhiro para fundit.

“Ky është pa dyshim derbi më i rëndësishëm në të cilin kam qenë i përfshirë ndonjëherë”, deklaroi Ferguson, menaxher në Old Trafford nga viti 1986.

“Është përballje e madhe, vendimtare. Ia kemi vështirësuar vetes punën, siç dimë të bëjmë shpesh. Tani duhet të shkojmë atje të vetëdijshëm se na nevojitet një rezultat. Na duhet të nxjerrim rezultat në Etihad Stadium pa dyshim, por nuk ka arsye pse të mos e bëjmë këtë”, u shpreh skocezi.

“Përballja do të jetë vendimtare për titull për Cityn, por edhe për ne. Do të ketë reagime, gjithsesi. Do të jetë ndeshje e madhe, gjithmonë ka qenë një duel derbi i nivelit të lartë, kurse edhe tani do të jetë ashtu”, përfundoi ai.

Mancini favorizon Unitedin

Menaxheri i Manchester Cityt, Roberto Mancini, insiston se Manchester United mbetet favorit për të fituar titullin e kampionit në Premierligë, edhe pse skuadra e tij ngushtoi në tri pikë avantazhin e rivalit të qytetit.

“Nuk është në duart tona”, tha Mancini, edhe pse City me fitore ndaj Unitedit të hënën do të kalojë në krye të renditjes.

“Do të mund të flasim për titull vetëm nëse i mposhtim ata të hënën. Por, unë pres të humbim prej tyre. Futbollistët e Unitedit janë mësuar të luajnë nën presion çdo vit. Kurse ne nuk kemi kurrfarë presioni sepse nuk kemi gjasa për fitore”, shtoi italiani.

Pas përballjes me Unitedin, City udhëton në Newcastle më 6 maj para se të përfundojë sezonin në shtëpi me QPR-në më 13 maj. Kurse, kampioni në fuqi, United pret Swansean e pastaj udhëton te Sunderlandi në xhiron e fundit.

City e kaloi pjesën më të gjatë të sezonit në pozitën e parë, por pas humbjes nga Arsenali më 8 prill, mbeti tetë pikë prapa Unitedit. Por, disavantazhin tani është vetëm tri pikë. “Ju të gjithë keni shkruar se gara për titull kishte përfunduar. Shtatë ditë më parë kishte përfunduar, ju e shkruat”, përfundoi Mancini.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›