E Diel, 1 Nëntor 2026

Derbi në 242 minuta, vendos “Goli i artë” i Panos



Duelet Dinamo-Partizani, e para 16 herë kampione e Shqipërisë dhe i dyti, me një titull më pak në 60 kampionate në kategorinë maksimale të futbollit shqiptar kanë krijuar pambarimisht emocione të mëdha, por e pashlyeshme do të mbetet kampionati i vitit 1961. Një titull që ende sot ruan një rekord për minutat e luajtura, një odise e gjatë: dy ndeshje, që në total bëjnë plot 242 minuta lojë. Për më tepër që kampioni, Partizani, u përcaktua me “golin e artë” të “Futbollistit shqiptar të Shekullit” të kaluar, legjendës Panajot Pano.
Dy ekipet e mbyllën kampionatin me pikë të barabarta nga 30 pas 18 javësh të luajtura. Kampionati kishte 10 skuadra, ndërsa për fitoren atëherë jepej dy pikë. Dy skuadrat patën të njëjtën numër fitoresh: 14, barazime 2 dhe humbje 2. 46-13 golat për Partizani, 41-12 për Dinamon. Atëherë për të përcaktuar kampionin u zhvillua një ndeshje finale, por që në të vërtetë kërkoi dy të tilla.
Takimi i parë u mbyll në barazim 1-1. Nëntëdhjetat minutat e rregullta përfunduan të bardha, ndërsa në kohën shtesë realizuan Resmja për Partizanin dhe Lubonja për Dinamon. Në ndeshjen e dytë finale, më 2 korrik 1961, sërish 90 e 120 minutat përfunduan pa gola, teksa në minutën e 2-të të “super-extra-time”, në të 122’ erdhi edhe “goli i artë” i Panajot Panos, përmes një veprimi të jashtëzakonshëm individual, që mbylli menjëherë takimin. 1-0 dhe Partizani fitoi titullin e 8-të, ndërsa talenti Pano, i krahasuar me vonë si “Pushkashi” shqiptar fitoi trofeun e parë si lojtar. Atë sezon Panajot Pano u shpall golashënuesi më i mirë i sezonit me 17 gola.

2
Ndeshje finale zhvilluan Partizani e Dinamo për të përcaktuar kampionin e vitit 1961, pasi e para përfundoi në barazim 1-1, ndërsa e dytë kërkoi shtesë sërish.

242
Minuta lojë të rregullt e shtesa u zhvilluan në të dy ndeshjet, ku “golin e artë” që i dha trofeun e tetë Partizanit e shënoi Pano në minutën e 122-të

Beteja e pikës së bardhë

Kur kanë mbetur edhe vetëm 90 minuta për të përcaktuar ekipin kampion, ia vlen të bëjmë një udhëtim drejt pikës së bardhë, ku pa dyshim në fokus janë penalltitë e akorduara nga gjyqtarët për Dinamon e Partizanin, dy rivalët e mëdha për titull.
Statistikat flasin: 7 penallti për Dinamon, kundrejt 2 penalltive të dhëna për Partizanin. Edhe një detaj tjetër: kundër Dinamos janë dhënë 3 penallti, kundër Partizanit 2 të tilla, ku njëra, ajo e akorduar Tiranës, është humbur nga Klodian Duro.
Penalltinë e parë Dinamo e morri qysh në javën e parë, kur Sebino Plaku e shndërroi në gol në minutën e 87-të në fitoren 4-0 kundër Besëlidhjes.
Partizani do ta gjente atë në javën e 5-të, kur Gjergji Muzaka realizoi me penallti në fitoren 4-0 kundër Teutës.
Muzaka do të vihet sërish para pikës së bardhë në fitoren 2-1 kundër Kastriotit në javën e 15-të, kur mesfushori sulmues i të kuqve realizoi golin me vlerë trepikëshe në minutën e 90-të.
Sebino Plaku nuk gaboi për Dinamon në fitoren më të thellë sezonale: 7-0 kundër Skënderbeut në javën e 17-të.
Ish-sulmuesi i Apolonisë u transferua në Norvegji dhe, te pika e bardhë u shfaq kroati Pero Pejiç, i cili realizoi në fitoren 3-1 kundër Skënderbeut në javën e 23-të.
Penalltitë marrin tërësisht ngjyra blu në javët në vazhdim: Bekim Kuli realizon në minutën e 93-të në fitoren 2-1 të Dinamos kundër Teutës (java 25). Sërish kavajasi realizon në fitoren 6-0 kundër Flamurtarit në javën e 27-të.
Kuli shndërrohet në një specialist i pagabueshëm nga pika e bardhë: nga gjashtë gola, katër janë shënuar prej nga pika e bardhë. Realizoi golin e fitores 2-1 ndaj Tiranës në javën e 30-të dhe sërish kundër Besës (2-0) në javën e 31-të.
7
Penallti i janë akorduar Dinamos gjatë këtij sezoni. Bekim Kuli ka shënuar 4 gola nga pika e bardhë, 2 Plaku e 1 Pejiç.

2
11-metërsha i janë dhënë Partizanit në 32 javët e luajtura të sezonit 2006-2007, të dyja të realizuar nga Gjergj Muzaka.

Moçka, portieri vëzhgohet nga Ajaksi

Të shtunën në javën e fundit të Kategorisë Superiore, ndërsa në kryeqytet do të luftohet për titullin kampion, në Vlorë në takimin Flamurtari-Elbasani, portieri i talentuar vlonjat Shpëtim Moçka do të vëzhgohet nga një trajner portierësh, më cilësinë e verifikuesit, përpara se lojtari i Shpresave të meritojë një provë te Ajaksi i Amsterdamit. Informacionet e grumbulluara për 18-vjeçarin, një e ardhme e sigurt e katërkëndëshit kuqezi, janë vlerësuar në Holandë, ku kanë mbërritur edhe disa pamje filmike të portierit. Arben Kasolli, një trajner moshash te Ajaksi, do të kryejë edhe rolin e të dërguarit të klubit legjendar portokalli. Kasolli punon si skauter portierësh, dhe që stërvit një numër të madh portierësh në Akadeninë e Johan Krujfit në Holandë.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›