E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj: “Maxhoranca po godet biznesin në Shqipëri”



Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, shprehu shqetësimin e grupit të deputetëve socialistë për miratimin nga maxhoranca të ligjit për procedurat tatimore dhe ligjin për falimentimin. Leskaj tha se këto ligje janë shprehje e qartë e mentalitetit të qeverisë së kryeministrit Berisha për të goditur dhe penguar zhvillimin e biznesit në Shqipëri. “Gjithsesi, pa u ndalur në gjithë problemet që ka ligji, ne mendojmë se ai përkeqëson mjedisin e biznesit, i cili edhe kështu është i përkeqësuar, siç rezulton edhe nga raportet e fundit dhe konkretisht nga ai Doing Business (të bërit biznes), i cili, siç është bërë e ditur, e rendit Shqipërinë në vendin e 136-të ose vendin e fundit në rajon. Shoqatat e biznesit kanë denoncuar para pak ditësh publikisht ndryshimet në procedurat tatimore, si antikushtetuese”, - u shpreh Leskaj. Ajo shtoi se ligji për procedurat tatimore bie ndesh me ligjin për shoqëritë tregtare, ndërkohë që kërkoi nga qeveria që të reflektojë nisur edhe nga kritikat e bëra nga organizmat ndërkombëtare. “Minimalisht qeveria të reflektonte mbi atë që presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Philip Bay, kërkoi në emër të biznesit, “që zgjidhje të tilla të vijnë nga tryeza të përbashkëta me qeverinë dhe jo nëpërmjet rrugës së gjykatës”. Duke kujtuar kështu vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me ligjin e gjobave, “njëherësh qeveria duhet të reflektojë ndaj kritikave të BE-së mbi cilësinë e ligjeve dhe miratimin e tyre në nxitim”, - vijoi kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Dy ligjet e miratuara nga maxhoranca, Leskaj i cilësoi të dobëta dhe problematike për biznesin në Shqipëri dhe për këtë arsye kërkoi rishikimin e tyre. “Së fundi, Grupi Parlamentar i PS-së vlerëson se cilësia e dobët e ligjeve, fryma e një legjislacioni kryesisht penalizues që rrit abuzivitetin, shkalla e lartë e korrupsionit e administratës fiskale dëmtojnë rëndë biznesin dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Këto ligje duhen kthyer në komisionet parlamentare që ekspertët dhe biznesi të kenë mundësinë të kontribuojnë për to, që ligji të zhvishet nga pushteti absolut”, - deklaroi kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj.

17 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›