E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lika: “Titullin, për familjen e kuqe”



Trajneri i Partizanit, Hasan Lika, e ndjen se është shumë pranë fitimit të titullit të parë si trajner. Gjithsesi ish-trajneri i Teutës tregohet i matur në deklarimet e tij: “Natyrisht që do të bëjmë maksimumin. Është një ndeshje që dëshirojmë ta fitojmë e të shpallemi kampionë”. Lika beson në lojtarin e 12-të, tifozerinë e jashtëzakonshme të kuqe. “Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, ata janë një faktor i rëndësishëm. Do të na ndihmojnë shumë”.
Trajneri, që e ka shijuar trofeun e fundit të Partizanit, në rolin e ndihmësit të Sulejman Starovës në sezonin 1992-1993, shton: “Do të jetë një titull që më shumë se kushdo tjetër do t’i përkasë familjes së Partizanit, dhe për këtë arsye duhet ta fitojmë patjetër”. Dinamo kryeson me dy pikë më shumë, dhe përveç faktit që ndodhet në krye, blutë e kanë eliminuar Partizanin në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë. Në ndeshjet e kampionatit dy ekipet kanë ndarë nga një fitore. Lika është i vetëdijshëm: “Është një ndeshje e vështirë, por ne do të japim maksimumin”.
Nëse Partizani do të fitojë titullin, atëherë do të barazohet me trofe me Dinamon, nga 16, kur rekordin për kampionate të fituara DHËMBI- Mesfushori i Partizanit, Paulin Dhembi, është një nga lojtarët që ka luajtur me të dyja ekipet, madje me Dinamon është shpallur kampion në sezonin 2001-2002, kur blutë drejtoheshin nga Faruk Sejdini. Tashmë në rolin e një protagonisti me Partizanin, lojtari i thirrur nga trajneri i Kombëtares, holandezi Ari Han për ndeshjen miqësore kundër Polonisë. “Do të luhet një futboll nga dy skuadrat më mira të kampionatit, në ndeshjen e fundit të sezonit- tha korçari, autori i pesë golave gjatë këtij sezoni. “Do të ketë ndoshta edhe pak tension, pasi luftohet për titull, por do të ketë edhe bukurinë e saj”.
PINARI - Mbrojtësi i Partizanit, Luan Pinari, edhe ky një ish-lojtar i Dinamos kampione, por edhe i Tiranës, thotë: “Do të jem shumë i gëzuar nëse do ta fitojmë ne titullin. Është shumë bukur që kampionati vendoset në javën e fundit, jo vetëm për mua si lojtar, por për të gjithë tifozerinë. Do të jetë një ndeshje e bukur”.

Drejt titullit
Java 33
Dinamo-Partizani
Stadiumi “Selman Stërmasi”
Ora 16:30

PIKËT
Dinamo 67
Partizani 65

Kampionate
Dinamo 16
Partizani 15

Kupa
Dinamo 13
Partizani 15

Daja: Ndeshja me e rëndësishme e karrierës

Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, i ka të gjitha shanset të vendosë një rekord unikal, përsa i përket trofeve si trajner: dy skuadra të Superligës në drejtimin e tij, dy tituj kampionë. Daja në sezonin 2005-2006 udhëhoqi Elbasanin në fitimin e titullit kampion, dhe i ka të gjitha gjasat ta përsërisë atë me Dinamon, gjatë këtij edicioni, edhe pse e morri drejtimin e skuadrës pas shkarkimit të Agim Canajt. “Është një nga ndeshjet më të rëndësishme të karrierës sime, por jo të jetës sime”. Dinamo fitoi 3-0 në Shkodër me Vllaznisë, por trajneri u tregua i pakënaqur nga forma e ekipit, sidomos në pjesën e parë. Daja shton: “Vlerat tona të vërteta do t’i tregojmë në ndeshjen e fundit kundër Partizanit”.

Allmuça: “Fitore për inat personal”

“Finalja” e Kampionatit të 69-të Kombëtar të Futbollit, ajo midis dy kryesueseve: Dinamos e Partizanit, ka ndezur jo vetëm tifozeritë respektive, por ka rritur adrenalinën edhe të protagonistëve të superderbit. Mesfushori produktiv i Dinamos, Igli Allmuça, e ka kaluar gati në planin personal sfidën me ish-skuadrën ku është formuar si futbollist. “Dëshiroj ta fitoj këtë trofe, pikërisht kundër Partizanit, për një inat personal që kam ndaj tij. Nga kjo skuadër jam larguar padrejtësisht”, - tha për TV Klan ish-lojtari, që u shpall kampion sezonin e fundit me Tiranën.

“Humbet” Qemali, “fiton” Selmani

Superderbi Dinamo-Partizani, që në përfundim të 90 minutave, do të përcaktojë edhe kampionin e ri të Shqipërisë, përfundimisht do të luhet në stadiumin e dytë të kryeqytetit, në “Selman Stërmasi” në praninë e jo më shumë se 4000 shikuesve, teksa varianti optimal mund të ishte kombëtari “Qemal Stafa”, ku mund të ishin të pranishëm të paktën tre herë më shumë: rreth 12 000 veta, ku padyshim tifozët e kuq do të ishin në shumicë absolute dhe do të ndikonin në frymëzimin e futbollistëve të Partizanit për fitimin e titullit. Vendimi është marrë pas takimit gjashtëpalësh: Federata Shqiptare e Futbollit, Ministrisë së Sporteve, Ministrisë së Rendit, klubet e futbollit Dinamo e Partizani si dhe drejtues të stadiumit. Në fillim të javës, Klubi i Futbollit “Partizani” i drejtoi një letër FSHF-së e Policisë së Tiranës, për të marrë në konsideratë zhvillimin e ndeshjes së javës së 33-të në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Policia nga ana saj dy ditë më parë pohoi se nuk mund të garantonte rendin në një stadium ku dy tribunat anësore (C dhe E) ishin jashtë funksionit. “Policia garantoi se merr përsipër zhvillimin e ndeshjes Dinamo-Partizani në çdo stadium ku do të vendosë klubi i Dinamos”, - tha për mediat shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Ilir Shulku. “Kjo është ndeshja e fundit e kampionatit kombëtar dhe ekipi pritës është Dinamo”.

4000 SHIKUESË

Në lidhje me biletat e takimit zëvendëspresidenti i Dinamos, Avni Braçe, tha: “Klubi i Partizanit do të marrë nga një sasi biletash, të cilat do tu shpërndahen tifozerisë së tyre. Përsa i përket numrit, ata do të marrin gjysmën e karshisë (tribunës përballë)”. Stadiumi “Selman Stërmasi” ka rreth 4000 mijë vende të ulura, ndërkohë që ajo përballë ka rreth 3000 vende. Sipas një llogarie të thjeshtë, tifozët e Partizanit mund të marrin jo më shumë se 1000 bileta. Shumë pak për klubin me më shumë tifozë në Shqipëri.

GJYQTARË ITALIANË

Takimi Dinamo-Partizani do të luhet ditën e shtunë, në orën 16:30 dhe do të gjykohet nga një treshe gjyqtarësh italianë. Në dy takimet e fundit, Dinamo fitoi me Vllazninë (0-3) në Shkodër, ndërsa Partizani me Skënderbeun (2-0) në “Qemal Stafa”, në një takim ku nga skuadra korçare u ndëshkuan me karton të kuq tre futbollistë. Kur ka mbetur edhe një javë për t’u luajtur nga përfundimi i sezonit 2007-2008, Dinamo ka një avantazh prej dy pikësh ndaj Partizanit, që synon titullin e 16-të pas 15 vitesh pritje.

16 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›