Deri kur PD do të vazhdojë të mashtrojë të përndjekurit?
Partitë e djathta e dinë mirë se vota e ish-të përndjekurve ka qenë dhe do të jetë e tyre gjithmonë. Ajo që shqetëson më tepër këtë grupim shoqëror janë veprimet absurde që bëjnë qeveria, presidenti dhe parlamenti. Qeveria e djathtë i shton pensionin patriarkut të Partisë Socialiste, Dritëro Agolli. Presidenti i zgjedhur nga votat e së djathtës dhe që pretendon se është i djathtë, dekoron kriminelët e regjimit, ndërsa parlamenti që dominohet nga të djathtët dhe që ka votat e mjaftueshme për kalimin e ligjit mbi hapjen e dosjeve, e shtyn votimin për në shtator. Këto janë veprime, të cilat bien ndesh me parimet më elementare të së djathtës në përgjithësi.
Por, i shqyrtojmë gjërat një e nga një.
Qeveria, me një urdhër të posaçëm, i shtoi pensionin një ish-anëtari të Komitetit Qendror të PPSH, një ish-deputeti në diktaturë dhe në demokraci, një shkrimtari që i ka thurur lavde diktatorit dhe gjithë makinës kriminale që dhunoi shqiptarët. Pra, një ish-komunist për qeverinë e djathtë është më i rëndësishëm sesa ata mijëra e mijëra ish-të përndjekur, një pjesë e të cilëve u pushkatuan dhe vdiqën nëpër gulagët famëkëqinj të Shqipërisë. Për ata nuk ka shtesë pensioni, për ata nuk ka shtesë rroge, për ata nuk ka dëmshpërblim, sepse duhen bërë mirë llogaritë e qeverisë për t’u dëmshpërblyer, sepse për gjëra të tjera si shtesë rroge (asaj pjese që punon, sepse të shumtët janë të papunë) apo pensioni as që nuk bëhet fjalë. Ndërsa për Dritëroin e Nënës Parti qeveria as nuk bën llogaritje, por i gjen lekët dhe fap, Dritëroit në dorë. Paçka se Dritëroi ka dhe një bar-librari mu në qendër të Tiranës, atje ku rreh zemra e tij për socializmin e komunizmin. Ky është ofendimi më i madh që qeveria jonë i bën shtresës sonë. Ka kaluar 9 muaj që nga data e aprovimit të ligjit mbi dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve, ligj të cilin partitë e majta nuk e votuan dhe kërkohen e kërkohen vetëm dokumente që shqyrtohen e shqyrtohen sikur të jenë lëshuar nga shtete të tjera dhe jo nga zyrat e arkivave të ish-Ministrisë famëkeqe të Brendshme. Ja, ky është problemi i qeverisë sonë; ndihmon ekonomikisht ata që kanë qenë, janë dhe do të jenë mirë ekonomikisht, ndërsa për klasën tonë të vuajtur ka akoma kohë, se zgjedhjet zhvillohen vitin tjetër.
Në të njëjtën linjë është dhe presidenti i vendit që dekoron pa të keq kriminelë që kanë çuar në buzë të varrit dhe kanë pushkatuar njerëz të devotshëm dhe atdhetarë vetëm për të bërë karrierë dhe jo për të dhënë drejtësi. Dhe pas gjithë atyre protestave që shoqatat e ish-të përndjekurve politikë bënë mbi rastin e Brecës, presidenti as mori mundimin që ta t’ia heqë dekoratën këtij krimineli sadist. Në vend që presidenti ynë të dekorojë ata qindra e mijëra vetë, të cilët e luftuan në një mënyrë apo një tjetër regjimin, shkon dhe dekoron ata që i dhanë oksigjen krimeve të diktaturës.
Edhe parlamenti vazhdon në linjën e konsensusit me kriminelët komunistë apo pasardhësit e tyre. Po a mund të ketë konsensus me ata që mbajtën në këmbë për 50 vjet diktaturën? Ata kurrë nuk mund ta aprovojnë ligjin mbi hapjen e dosjeve dhe kurrë nuk do ta japin konsensusin për një gjë të tillë.
Dhe sa kohë do të vazhdojë kjo?