E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numri i punonjësve në ndërtim ka rënë me 5,2% për 3 muaj

Numri i të punësuarve në sektorin e ndërtimit gjatë tre muajve të parë të këtij viti ishte 5,2 për qind më i ulët sesa tremujori i parë i vitit të kaluar, duke vazhduar kështu kahjen rënëse të punonjësve në këtë sektor që prej vitit 2006. Numri total i të punësuarve gjatë vitit të kaluar në sektorin e ndërtimit në vend ishte 4,4 për qind më i ulët se numri total i të punësuarve në sektor gjatë vitit 2006. Kjo do të thotë se vitin e kaluar në këtë sektor e kanë humbur punën të paktën 4,4 për qind e punonjësve. Në vitin 2006 në sektorin e ndërtimit punonin 0,4 për qind më pak punonjës se sa punonin në vitin 2005. Kahja rënëse e numrit të punonjësve në sektorin e ndërtimit ka nisur që në vitin 2005, pasi në këtë vit krahasuar me vitin 2004, megjithëse kishte 4,5 për qind më shumë punonjës, ky numër ishte rritur në mënyrë më të ngadaltë sesa një vit më parë. Në vitin 2004 sektori i ndërtimit kishte punësuar 9,8 për qind më shumë sesa në vitin 2003. Rënia e numrit të punonjësve me këtë ritëm në sektorin e ndërtimit ka të bëjë thjesht me rënien në këtë sektor dhe jo me arsye të tjera, siç mund të jetë përmirësimi i teknologjisë. Numri i lejeve të ndërtimit, thotë Banka e Shqipërisë, në sektorin e ndërtimit gjatë vitit 2007 ishte tri herë më i ulët sesa në vitin 2006. Rënia në sektorin e ndërtimit vihet re edhe në vëllimin e punimeve, ku gjatë vitit 2007 kemi një vëllim 6,3 për qind më të ulët sesa në vitin 2006. Kjo kahje rënëse në vëllimin e punimeve është vënë re, si edhe kahja e numrit të punonjësve që në vitin 2005. Kështu, në vitin 2005 kemi një vëllim punimesh prej rreth 11,2 për qind më të lartë sesa në vitin 2004, ndërkohë që në 2004 kishim mbi 17 për qind rritje krahasuar me vitin më përpara. Në vitin 2006, rritja e vëllimit të punimeve në ndërtim zbriti në 1,7 për qind më shumë sesa në 2005 dhe pas ajo shkoi në minus 6,3 për qind, duke shkuar në zonën negative. Sa i takon numrit të ndërtimeve të reja, Banka e Shqipërisë thotë se edhe ky tregues ka pësuar rënie të qartë. Në vlera kemi një numër ndërtimesh të reja në vitin 2007 mbi 14 për qind më të ulët sesa në vitin 2006. Në vitin 2006 numri i ndërtimeve të reja krahasuar me vitin 2005 është 9,8 për qind më i lartë dhe, megjithëse kjo është një vlerë pozitive, ajo përsëri tregon rënie në ndërtim, pasi në vitin 2005 numri i ndërtimeve të reja ishte 12 për qind më i lartë sesa në vitin 2004. Pra, edhe në numrin e ndërtimeve të reja rënia e këtij sektori është e qartë. Kjo gjë është reflektuar edhe në kontributin që jep ndërtimi në ekonominë kombëtare, ku ai së bashku me transportet janë sektorët me humbjen me të dukshme, ndërkohë që më herët kanë qenë më të fuqishmit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›